Duterte: “E kam parë Amerikën, është morracake”

Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, ka sulmuar Senatorët e SHBA-së, të cilët kritikuan abuzimet gjatë “luftës kundër drogës”. Ndërsa ligjvënësit amerikanë kundërshtonin çdo udhëtim të mundshëm nga Duterte në Amerikë, lideri tha se nuk kishte ndërmend ta vizitonte vendin “e keq”.

“Nuk do vijë kurrë dita që unë të shkoj në Amerikë gjatë mandatit tim, apo edhe pas tij,” tha Duterte të premten, siç citohet nga Reuters.

Udhëheqësi i Filipineve ishte gjithashtu i habitur që senatorët mendonin se ai ishte i gatshëm të shkonte në SHBA.

“E kam parë Amerikën dhe është morracake”, tha Duterte.

Deklarata erdhi si përgjigje ndaj seancave të së enjtes në Komisionin e të Drejtave të Njeriut Tom Lantos në Kongresin e SHBA-së, ku senatorët akuzuan fushatën e Dutertes kundër drogës për abuzime dhe numër të madh viktimash.

Bashkëkryetari i komisionit, Jim McGovern, kundërshtoi çdo vizitë nga Presidenti Duterte në SHBA, duke thënë se ai do të protestonte ndaj një lëvizjeje të tillë për shkak të shkeljeve të shumta të të drejtave të njeriut nga udhëheqësi.

Duke iu kthyer akuzave, Duterte i këshilloi Uashingtonit të shihte mëkatet e veta dhe kërcënoi se do t’i hetonte ata, duke iu referuar viktimave civile gjatë luftrave në Lindjen e Mesme.

“Do të ishte mirë që Kongresi Amerikan të nisë hetimet për dhunimin e civilëve të vrarë në ndjekjen e luftërave në Lindjen e Mesme”, tha Duterte.

“Përndryshe do të detyrohem unë t’ju hetoj. Unë do të filloj me mëkatet tuaja të kaluara”.

Mundësia e një vizite të Dutertes vjen nga një bisedë telefonike në prillit midis udhëheqësit të Filipineve dhe homologut të tij të SHBA-së, Donald Trump, kur Trumpi e ftoi atë në Shtëpinë e Bardhë “për të diskutuar rëndësinë e aleancës së Shteteve të Bashkuara dhe Filipineve”.

Në atë kohë, Trumpi gjithashtu përgëzoi Duterten për “punën e tij të pabesueshme në problemin e drogës”.

Udhëheqësi i Filipineve tha se asgjë nuk mund ta ndalojë goditjen e tij ndaj drogës, duke përfshirë edhe një gjyq në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC). Fushata kundër drogës ka rezultuar në më shumë se 7,000 vdekje që nga marsi i vitit 2017, sipas Human Rights Watch. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne