Duterte: Filipinet nuk mund të përballojnë një luftë me Kinën

Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, deklaroi të martën se vendi i tij nuk mund të përballojë një luftë me Kinën, mes thirrjeve për një përgjigje më të fortë pas raportimeve që Pekini ka ulur bombardues në ishujt e diskutueshëm të Detit të Kinës Jugore.

“Unë nuk mund të përballoj hyrjen në një luftë në këtë kohë. Unë nuk mund të hyj në një luftë, të cilën s’kam mundësi ta fitoj dhe do të rezultonte me shkatërrim për forcat tona të armatosura. Pranojeni ose jo, ky është realiteti. Ju e dini se kur unë mora presidencën, këto probleme ekzistonin në Detin e Filipineve Perëndimore”, tha Duterte nga kryeqyteti Manila, gjatë një fjalimi me rastin e 120-vjetorit të themelimit të Marinës së Filipineve.

Në vitin 2012, Filipinet ripagëzuan ujërat e bregut perëndimor të vendit me emrin Deti i Filipineve Perëndimore, si pjesë e përpjekjeve për të përcaktuar territorin e tyre sovran.

Lideri filipinas vuri në pah aspiratën e tij për të mbrojtur vendin, por theksoi gjithashtu se nuk dëshiron të bëjë ndonjë lëvizje që do të ishte shkatërruese për kombin.

“Në vlerësimin tim, do të ishte një humbje e madhe për kombin dhe ndoshta do të përfundojmë duke humbur një luftë. Dua që t’i dini të gjitha këto. Pavarësisht nëse ju e pranoni apo jo, ky është realiteti në terren”, shtoi ai.

Megjithatë Duterte urdhëroi Marinën e Filipineve që të vazhdojë detyrën e saj në mbrojtje të sovranitetit të vendit, sidomos të Detit të Filipineve Perëndimore.

“Prandaj unë kërkoj nga secili prej jush që të bëni pjesën tuaj, në mënyrë që në 120 vitet e ardhshme të mund të krijojmë një forcë detare të përjetshme dhe ndoshta ne mund të fillojmë pushtimin e kombeve të tjera”, u shpreh presidenti filipinas.

Disa ligjvënës, opinionistë, kritikë dhe ekspertë kanë fshikulluar kohët e fundit administratën e Dutertes për minimizimin e mosmarrëveshjes së Manilës kundër Pekinit.

Zëvendëspresidenti Leni Robredo u bashkua me disa prej tyre duke i kërkuar qeverisë që të paraqesë një notë proteste diplomatike kundër Kinës.

“Ne po kërkojmë nga Departamenti i Punëve të Jashtme që të paraqesë një protestë diplomatike në vazhdën e këtyre zhvillimeve, në mënyrë që të shprehim kundërshtimin tonë ndaj veprimeve të Kinës”, deklaroi Robredo përmes një komunikate të shkruar.

Ai tha se veprimet e fundit të Kinës janë kërcënime ndaj sigurisë së Filipineve dhe të gjithë rajonit.

Vietnami dënoi fuqishëm uljen e bombarduesve kinezë në ishuj e ujërave të diskutueshme, ndërsa Filipinet thanë vetëm se ishin duke monitoruar zhvillimet nga afër. Manila zyrtare theksoi megjithatë politikën e saj për mospublikimin e të gjitha aksioneve të qeverisë, të cilat ajo i transmeton përmes kanaleve diplomatike.

Pekini pretendon thuajse të gjithë (80%) Detin e Kinës Jugore. Vende të Azisë Juglindore si Brunei, Malajzia, Filipinet, Tajvani dhe Vietnami kanë po ashtu pretendime të mbivendosura në lidhje me këto ujëra.

Në vitin 2016, Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit në Hagë arriti në përfundimin se pretendimet e Pekinit mbi zonat e detit të pasur me resurse nuk kanë bazë ligjore. Kjo çështje është çuar në arbitrazh nga Filipinet, vend që thotë se “të drejtat sovrane” i janë shkelur nga Kina, ndërsa kjo e fundit e kundërshtoi vendimin në fjalë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne