Dy fjalë për turizmin në Turqi, për Shqipërinë, Ulqinin dhe për Kosovën!

Shkruan: Fadil Pushkolli

Përderisa Turqia ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për sezonën e sivjeme turistike, ku, sipas asaj që lexojmë në mediet turke, deri në fund të shtatorit vendin do ta vizitojnë mbi 40 milion turistë, në këtë rrafsh, a thua çka kemi bërë ne shqiptarët në trojet tona?

Turqia i ka bërë përgatitjet e duhura për pritjen e miliona turistëve. Ka bërë përgatitjet e duhura për pritjen e turistëve edhe nga bota islame ku ka përgatitur hotele dhe pllazhe të ndara për gratë dhe burrat. Ka ndërtuar hotele të tëra enkas për këtë kategori të turistëve, ku në shumicën dërmuese të këtyre hoteleve ka bërë edhe mesxhide për ata që dëshirojnë t’i falin namazet me xhematë. Ajo ka përgatitur ambiente të posaçme për kujdesin e fëmijëve, mini-ambulanta nëpër hotele, dhe, çdo i treti hotel ka një makinë-ambulancë për raste urgjente.

Turqia ka krijuar kushte të volitshme edhe për turistët me nevoja të veçanta. Ajo që është me rëndësi, thonë autoritetet turke të turizmit, Turqia dëshiron të jetë parajsa e turizmit për të gjithë njerëzit e botës, pa dallim feje, kulture apo kategorie sociale. Nga fillimi i vitit e deri më tani Turqinë e kanë vizituar 9 milion turistë, ndërsa prej muajit korrik e deri në shtator, janë rezervuar të gjitha kapacitetet turistike në Turqi.

Sipas statistikave që i lexojmë andej, numri i të punësuarve në sektorin e turizmit janë 4.3 milion qytetarë, (mbi 600 mijë të huaj), e nëse këtë e përkthejmë në gjuhën e të përfituarve totalë, (si familje), numri i tyre arrin mbi 12 milion njerëz. Të hyrat se sivjetme nga turizmi në Turqi do të jenë mbi 60 miliard dollarë.

Shtrohet pyetja; çfarë përgatitje ka bërë qeveria e Kosovës për pritjen e emigrantëve tanë që jetojnë nëpër botë dhe për turistët e huaj? Çfarë përgatitje ka bërë qeveria shqiptare për pritjen e kosovarëve dhe të tjerëve, a i ka përmirësuar kushtet nga viti i kaluar, dhe a i ka rritë kapacitetet hoteliere? A ka bërë ndonjë ambient për kategori të veçanta të turistëve? Po Ulqini jonë i dashur, çka ka ndryshuar nga viti i kaluar dhe si do t’i pres turistët shqiptarë dhe të huaj?

Të gjitha këto pyetje dhe shumë të tjera janë pyetje që burojnë nga zemra e një shqiptari që dëshiron t’i sheh trojet etnike shqiptare të prosperuara, të përgatitura për sfidat e së ardhmes, njëjtë sikur edhe vendet tjera që kanë krijuar një përvojë të gjatë dhe të qëndrueshme në fushën e turizmit, dhe jo vetëm në atë fushë./ kosovapost

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne