Shqiperia

Dy kosovarët duhet të presin deri më 21 janar për t’u dekretuar si ministra në Shqipëri

Një ditë pas Asamblesë ku ndryshoi më shumë se gjysmën e qeverisë, Kryeministri Rama ende nuk ia kishte dërguar për dekretim emrat e rinj kreut të shtetit.

Këtë e konfirmojnë burime nga të dyja institucionet, ndërsa nga qeveria shpjegojnë se nuk ka arsye për nxitim, pasi edhe nëse ministrat dekretohen brenda ditës nga Presidenti Meta, për miratimin e tyre në Parlament duhet të pritet nisja e sesionit të ri Parlamentar më 21 janar.

Ndërkohë mëngjesin e të shtunës Kryeministri mblodhi Kryesinë e Partisë Socialiste, e cila konfirmoi vendimet e marra një ditë më parë në Asamble. U la porosi që para nisjes së Parlamentit të përcaktohen edhe emrat e atyre që do të zëvendësojnë ministrat në drejtimin e komisioneve parlamentare që do të lënë bosh. Në vend të Erion Braçes, drejtimin e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave pritet ta marrë Arben Ahmetaj, i cili largohet nga qeveria, ndonëse që nuk përjashtohet as Ervin Bushati. PS duhet të zëvendësojë edhe Eduard Shalsin në krye të Veprimtarisë Prodhuese dhe Bledi Çuçin si n/kryetar i Komisionit të Integrimit dhe Bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.

Kur mbeten 180 ditë nga zgjedhjet, fokusi i mbledhjes së Kryesisë, që zgjati rreth një orë, ka qenë te përgatitja për garën e ardhshme elektorale. Pushimet e socialistëve do të jenë të shkurtra dhe kalendari nis shpejt. Makineria organizative e PS-së do të vihet në lëvizje që më 4 janar, me mbledhjen e Këshillave të Koordinimit në territor, me një kalendar përgatitjesh që përfundon me thirrjen e Kongresit më 23 Mars. Kryesia ka vendosur që deri në Kongres socialistët të kenë ndarë përfundimisht cilët do të jenë kryebashkiakët që do të rikandidojnë e cilët do të zëvendësohen.,

OPINIONE