Dy “terroristët” iranianë aprofesionalizëm ulëritës apo thjesht “False flag operation”

Ditën e Festës së Sulltan Novruzit në mediet online shqiptare u bë viral lajmi i ndalimit me sukses nga antiterrori të dy “terroristëve” iranianë, të cilët do kryenin akte terrori gjatë një ceremonie të një institucioni fetar shqiptar. Dy “terroristët” ishin: Seyed Mohammad Alavi Gronabadi dhe Firouz Bagher Nezhad Zenjabi. Të dy këta terroristë ishin mbi 50 vjeç, pra në moshë jo optimale për të organizuar akte terroriste në terren (field job). Për më shumë lexuesi mund të shohë fotot e dy “terroristëve”, që i ofron ekskluzivisht CNA.al. Kishte ditë që në rrethet e gazetarëve perëndimorë të specializuar në antiterror dhe radikalizëm fetar qarkullonin lajme për një serial të mundshëm goditjesh terroriste të kasapëve të Daeshit në prag të Pashëkve katolike, por ç’ne iranianët shiitë të lidhur me ofensivën e pritshme të Daesh-it sunit?!?!?!?

Tullumbaci i suksesit spektakolar të agjencive ligjzbatuese shqiptare u shfry brenda disa orëve. Me gjysmë zëri , si hajduti i zënë me presh në dorë, propaganda qeveritare pranoi, që dy “terroristët’ iranianë nuk na paskërkan qenë terroristë, por ishin thjesht dy gazetarë të televizionit shtetëror iranian.

Aprofesionalizëm ulëritës apo…

Nga investigmi, që ndërmorëm, na rezulton se edhe për gjendjen e mjeruar të SHIK-ut tonë dhe të dispozitivit antiterror të policisë së ministrit Xhafa, prap një fiasko e tillë është tepër.

Së pari: “Terroristët iranianë nuk kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri por me vizë të rregullt, kështu që kishte pak të ngjarë, që personeli i konsullatës sonë në Stamboll të ishte aq idiot apo i korruptuar sa të pajiste me vizë të rregullt shqiptare dy terroristë, që do vinin në Shqipëri për të bërë terror. Për më shumë hollësi të shikohet faksimilja e dokumentit të konsullatës lëshuar për vizat e dy gazetarëve iranianë, e cila ofrohet për lexuesin ekskluzivisht nga CNA-ja. Konsullata madje ua kishte lëshuar vizat dy “terroristëve” iranianë falas!

Së dyti: Qoftë Konsullata shqiptare në Stamboll, qoftë “Turkish Airlines” kishin informuar paraprakisht për ardhjen e dy “terroristëve” në Tiranë. Veshgjati, që është veshgjat nuk e ha fabulën e dy terroristëve, që vinë legalisht në Shqipëri dhe informojnë paraprakisht për mbërritjen e tyre në Tiranë!

Së treti: Ata nuk kishin ardhur në Tiranë për qejf të vet, si turistë, por me shërbim, të ftuar zyrtarisht për të kryer detyrën e tyre si gazetarë. Dy gazetarët iranianë kishin ardhur në Tiranë pas një ftese me shkrim të bërë nga vetë Hirësia e tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve. Ftesë e nivelit nga më të lartët, përderisa bëhet fjalë për kreun e njerit prej komuniteteve fetare shqiptare të njohur zyrtarisht nga shteti shqiptar. Lexuesi për më shumë hollësi mund të shohë faksimilen e ftesës së Baba Mondit të ofruar ekskluzivisht nga CNA.al.

Së katërti: nëse nuk është paaftësi ulëritëse e organeve ligjzbatuese shqiptare, çfarë është ky palaçollëk i bërë në një ditë të shenjtë për një komunitet të tërë fetar shqiptar?!?!?!??! Përgjigja e kësaj pyetje është formuluar nja 25 shekuj më parë nga latinët me anë të shprehjes: “Cui Bono?” Kush Përfiton.

False flag operation?!?!?!?!

Nga ky operacion poshtërues humb Shqipëria. Është në kundërshtim me traditën shekullore të mikpritjes së shqiptarëve dhe perceptimin e  të huajve për shqiptarët, që ta ftosh tjetrin zyrtarisht me shkrim e më pas t’i vësh prangat si terrorist , kuptohet për një sqarim të vogël! Shqipëria humb në imazh dhe rezulton si shtet, ku njeri i bie gozhdës Baba Mondi dhe tjetri i bie patkoit, kryeministri Rama. Shqipëria portretizohet si vend,që persekuton gazetarët. Prangosja e dy gazetarëve iranianë nga antiterrori shqiptar është gjest më i rëndë sesa përgjakja nga policia (riot police) e gazetarit spanjoll gjatë protestës së PS-së në Sheshin Skënderbej në 28 maj1996! Është detyrë e gazetarëve shqiptarë, që të protestojnë për një gjest të tillë, sipas parimit sot ngremë zërin ne për kolegët iranianë, por nesër do ta ngrenë ata zërin për ne! Lexuesi le ta imagjinojë pak sikur dy gazetarë të TVSH-së të ftohen për vizitë në Teheran nga kreu i komunitetit islamik shiit të Iranit, të pajisen me viza të rregullta hyrje në Iran dhe milicia Basij apo Pasdarawnt e Gardës Revolucionare të Iranit t’i prangosnin si terroristë të rrezikshëm. Me siguri kolegët e tyre shqiptarë do ngrinin zërin në kupë të qiellit për një akt të tillë banditesk të regjimit të mullahëve të Teheranit. Realisht do të bënin shumë mirë,por në rastin, kur proçkën e bëri antiterrori i regjimit të m…..ullahëve të Tiranës si bëhet hallit?!?!?!?!?

Lus Zotin, që kjo mos të ketë qenë një strategjemë e kryministrit Edvin për të poshtëruar Presidentin Meta, një bektashi praktikant ditën e shenjtë të Sulltan Novruzit. Gjetja e alibisë, se u bë pa dijeninë e Ramës, se ky i fundit ishte shumë i zënë në takim me Presidentin Erdogan , vjen erë që larg. Një poshtërim i tillë për Baba Mondin, kreun e bektashizmit shqiptar (dhe mbarëbotërore) është mosmirënjohje e skajshme nga ana e kryeministrit Edvin. Kujtojmë këtu se ishte prezenca e Baba Mondit bektashi dhe e imamit sunit, që i siguroi kryeministrit Edvin duartrokitjet e parizienëve, kur përfaqësuesit e komuniteteve fetare shqiptare bashkë me kryeministrin Edvin shëtitën në mënyrë demonstrative bulevardeve të Parisit pas aktit terrorist në redaksinë e Revistës Charlie Hebdo. Në këtë kontekst baba Mondi është në të drejtën e vet, që të urdhërojë rrjedhjen (leaking) drejt mediave shqiptare të dokumenteve, që kanë të bëjnë me 2 “terroristët” iranianë.

Përmbledhtazi mund të themi se minimumi kemi të bëjmë me atë që në zhargonin diplomatik quhet “Faux pas” dhe maksimumi me një kllounadë, që prek prestigjin e shtetit shqiptar. Përrallat me lista terroristësh me 10 emra brenda të siguruara nga partnerë anonimë të antiterrorist shqiptar, që qarkulluan në disa media pro qeveritare, se pse më kujtojnë Fatmir Mediun. Rrezikziu në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes për të mos ndarë ryshfetin për trafikun e armëve me gjeneralët e me kolonelët shqiptar u shfajësohej mjeranëve në uniform se ai nuk e bënte për interes personal këtë trafik, por ia kishin kërkuar si favor ata djemtë e CIA-s(Sic!). Kur ndodhi tragjedia e Gërdecit, çuditërisht CIA, që mbeti duke i kërkuar favore Mediut tonë, nuk u bë e gjallë, kurse kolonelët dhe gjeneralët e mjerë përfunduan në burg, nën hetim apo në ekzil në SHBA. Partnerëve anonimë me antiterrorin tonë nuk u hyri gjemb në këmbë nga dështimi spektakolar me 2 “terroristët”amerikanë, por turpi u mbeti në derë këtyre “veshgjatëve” tanë.

Si argument shtesë për një “False flag operation” është edhe fakti, që pak orë para arrestimit të dy gazetarëve alias terroristë në median online kosovare “Kosova press.com” u ndërkall një lajm për akte të pritshme terroriste në Tiranë Ditën e Sulltan Novruzit. Linku: http://www.kosovapress.com/sq/lajme/parashihen-sulme-terroriste-ne-shqiperi-ambasada-demanton-154826/. Publikimi i një lajmi të tillë është fiks sipas manualit të të ashtuquajturave “False flag operation”. Në fund të fundit turpi i mbeti Atdheut tim Shqipërisë (asaj pjese të Atdheut, që nuk e ka dhënë ende me koncesion kryeministri Edvin) tamam sipas atij proverbit shqiptar, që thotë: kur zihen atllarët, shkelmat i hanë gomarët. Lexuesi e kupton fare e mirë se në këtë rast “gomarët” janë shqiptarët dhe dinjiteti shtetëror i tyre, që thjesht shkelet me këmbë për hir e në favor të të huajve enigmatikë! /GJERGJ THANASI/CNA.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne