Dy vjet nga vrasja e Ardit Gjoklajt, aktivistët: Arditin e vrau pronari me bekimin e Erion Veliajt!

Sot bëhen dy vite nga vrasja e 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj, i cili mblidhte mbeturina në landfillin e Sharrës, për llogari të një kompanie të cilën e kishte promovuar vetë kryebashkiaku Veliaj, duke u bërë thirrje qytetarëve të punonin për të . Aktivistë të “Organizatës Politike” kanë kujtuar vrasjen e tij makabre me anë të një video në rrjetet sociale.

“Sot u bënë dy vite nga vrasja makabre e Ardit Gjoklajt mbi një tog mbeturinash në landfillin e Sharrës. Kushtet e rënda ekonomike e detyruan djaloshin 17-vjeçar të punonte në ato kushte të mjera, turn i tretë dhe pa asnjë mjet sigurie në punë, në mënyrë që të siguronte pak të ardhura për të nisur vitin e ri shkollor. Pas kësaj ngjarjeje tragjike, ne dhe një pjesë e madhe e shoqërisë protestuam dhe ngritëm pyetjen se kush e vrau Arditin.

Falë edhe punës së vyer investigative të disa gazetarëve, ne e dimë shumë mirë se kush e vrau Arditin. E vrau klientelizmi, korrupsioni dhe papërgjegjshmëria e Bashkisë së Tiranës, veçanërisht e kryetarit të saj, Erion Veliajt. Ky i fundit, i cili pas ngjarjes tragjike në Sharrë duhet të ishte në bankën e të akuzuarëve, jo vetëm që kishte nënshkruar një kontratë abuzive dhe me plot shkelje me kompaninë “3R” (në pronësi të Edurim Teqjes, kryetar i PS në Peqin), jo vetëm që i bëri dy herë publicitet këtij landfilli vdekjeprurës, por nuk garantoi as kushtet minimale në një kompani në varësi të institucionit që drejton, ku dhjetëra vetë punonin pa kontratë pune, ndërsa dhjetëra të tjerë ishin fëmijë.

Përmes kapjes edhe të institucioneve të drejtësisë, konkretisht Kryeprokurorit të Tiranës, Erion Veliaj ia ka hedhur paq dhe vazhdon t’u hedhë hi syve qytetarëve nga mëngjesi deri në darkë. Sot nuk ka asnjë të akuzuar apo të dënuar për rastin në fjalë, çka tregon edhe për “mbarëvajtjen” e të bujshmes reformë në drejtësi.

Ama ne e dimë shumë mirë se kush e vrau Arditin: e vrau pronari, Edurim Teqja, me bekimin dhe mbështetjen e kryetarit Erion Veliaj. Do të vijë dita kur këta kriminelë do të mbajnë përgjegjësi dhe do të bëhet drejtësi patjetër për Arditin!”, thuhet në deklaratën e “Organizata Politike”./ tpz

VIDEO: 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne