DYMBËDHJETË BURIMET E UJIT NË KUR’AN

Nga: Nexhat Ibrahimi

Maksima kur’anore “dymbëdhjetë burime” (عَيْنًا عَشْرَةَ اثْنَتَا) ceket në Kur’an në dy raste, por në kontekste të ndryshme: “Dhe kur Musai kërkoi ujë për popullin e tij, Ne i thamë: “Bjeri gurit me shkopin tënd!” – (Ai i ra) dhe nga ai rrodhën dymbëdhjetë burime, dhe çdo fis e dinte burimin e vet!” (El-Bekare, 60) dhe: “Ne e kemi ndarë (popullin e Musait) në dymbëdhjetë fise dhe ia kemi shpallur Musait – kur populli i tij kërkoi ujë: “Bjeri me shkopin tënd shkëmbit!” Dhe rrodhën nga ai dymbëdhjetë burime. Çdo fis e dinte burimin e vet…”. (El-A’raf, 160). Komentuesit e Kur’anit nuk janë të pajtimit rreth të kuptuarit të kësaj maksime kur’anore. Ismail Haki Bursaliu mendon se “dymbëdhjetë burimet” janë begati e Zotit ndaj popullit hebre (Shih: El-Bekare, 47). 


Zamahsheriu ofron kuptime të shumta rreth burimeve dhe ujit, i cili e përcolli Musain a.s., qysh nga vendosja në sënduk nga nëna e tij, gjetja në ujë e sëndukut me Musain e vogël nga ana e suitës faranike, hapja e detit me shkopin e Musait dhe burimet e ujit duke goditur me shkop shkëmbin shkretinor.
Ibn Arebiu e shpjegon në mënyrë të brendshme, duke thënë se “dymbëdhjetë burimet” janë simbolika e dijes dhe kuptimeve të brendshme të ardhura nga “qielli i frymës (min sama’i’r-rûhi). Dymbëdhjetë burimet Ibn Arebiu i shpjegon si dymbëdhjetë ndjenjat e njeriut (el-mashå‘iru’l-insånijjeh), të cilat sipas tij ekzistojnë pesë shqisa të jashtme (el-hawåsu’l-hamsu’edh-dhahirah), pesë ndjenja të brendshme (el-hawåsu’l-hamsu el-batinah), aftësia mendore teorike (el-‘åkiletu n-nadharijjatu) dhe aftësia mendore praktike (el-‘åkiletu l-‘amelijjetu).

Burimi: Nexhat Ibrahimi, Fjalor Enciklopedik Islam, Logos-A, Shkup, 2017.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne