I dyshuari për masakrën në klubin e natës në Stamboll arrestohet në Danimarkë

Ibrahimjon Asparov, bashkëpunëtori i dyshuar i Abdulgadir Masharipov, të dyshuarit kryesor në masakrën në klubin e natës Reina në Stamboll në prag të Vitit të Ri, u arrestua të mërkurën në Danimarkë.

Asparov akozohet se ka furnizuar me armë dhe municione Masharipovin, kurse me kërkesë të Turqisë ai u arrestua për herë të dytë, njoftojnë mediat daneze. Ai doli para gjykatës, ku dha një deklaratë të shkurtër.

Pas leximit të akuzës turke kundër Asparov, prokurorja Dorthe Moller-Andersen kërkoi paraburgim katër-javësh deri sa të merret vendimi për ekstradimin e tij. Gjykatësi pranoi kërkesën e prokurores, kurse avokati i Asparov apeloi vendimin.

Më tej thuhet se policia gjatë arrestimit kishte konfiskuar pajisje të caktuar kompjuterike nga i dyshuari.

Pas kërkesës së Turqisë, Asparov u arrestua më 29 qershor në Jutlandin jug-lindor me ndihmën e shërbimit danez të inteligjencës, por u lirua pas marrjes në pyetje. Moller-Andersen ka thënë se Turqia brenda 18 ditëve duhet të kërkojë ekstradimin e Asparovit.

Të paktën 39 njerëz, përfshirë edhe një polic, u vranë kur një sulmues hapi zjarr gjatë mbrëmjes së Vitit të Ri në një klub nate në lagjen Ortakoi të Stambollit. Masharipov u arrestua më 16 janar./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne