E drejta e autorit, miratohen tarifat dhe metodologjia e shpërblimit të veprave

Këshilli Kombëtar i të Drejtës së Autorit në mbledhjen e tij të fundit, miratoi metodologjinë dhe masën e tarifave të shpërblimit të veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit në sistemin e administrimit kolektiv.

Në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Kulturës theksohet se “ky vendim miratohet në zbatim të reformës në fushën e të drejtës së autorit të ndërmarrë nga Ministria e Kulturës vitet e fundit. Administrimi kolektiv i të drejtave të krijuesve ka gjeneruar prej shumë e shumë vitesh problematika dhe konflike të panumërta mes biznesit, subjekteve përdorues të produktit artistik dhe komunitetit të krijuesve”.

“Procesi i miratimit të kësaj metodologjie, gjatë gjithë procesit të hartimit të saj është konsultuar me të gjitha grupet e interesit, ekspertet e ëIPO-s dhe aktorëve ndërkombëtarë të industrive krijuese duke dhënë secili kontributin e tij të vlefshëm në interesin më të mirë të të gjithë palëve të interesuara”, nënvizon njoftimi.

Sipas MK-së, për herë të parë, Shqipëria tashmë renditet mes vendeve europiane që adaptojnë një sistem transparent dhe që e aplikojnë këtë sistem tarifor në mënyrë të drejtë dhe të standartizuar me praktikat ndërkombëtare.

“Ky sistem i miratuar tashmë i shërben së pari shpërblimit të drejtë dhe të merituar të autorëve, interpretuesve/ekzekutuesve dhe prodhuesve të fonogramit në vendin tonë dhe jashtë saj, por gjithashtu dhe klimës së biznesit dhe të drejtës së tyre legjitime për të paguar mbi produktin intelektual që përdorin, në mënyrë të ndershme”, thuhet në njoftimin.

Ministria e Kulturës bën të ditur se “procesi i hartimit të metodologjisë së tarifave u është referuar praktikave më të mira ekzistuese në Europë duke i vendosur ato me kuadrin e aplikueshëm ligjor, rrethanat ekonomike dhe kulturore të vendit tonë dhe qëllimi i saj është të përmirësojë situatën e pagueshmërisë, të rritë bazën kontributore, dhe përdorueshmërisë së tarifave të mbledhura nga AAK-të përmes aplikimit të tarifave bilaterisht të pranuara dhe lehtësisht të aplikueshme / të zbatueshme, duke i dhënë fund abuzimeve dhe gangrenës së krijuar ndër vite tek subjektet përdorues. Prioritet i kësaj metodologjie ka qenë që këto tarifa të miratuara të ishin të thjeshta, të kuptueshme dhe të zbatueshme nga të gjithë subjektet përdorues të pronësisë artistike”.

Po ashtu, bëhet e ditur se metodologjia shmang mundësinë e paligjshme që Agjencitë e Administrimit Kolektiv të abuzojnë me fuqinë e tyre të tregut, duke vendosur çmime të paarsyeshme ose të angazhohen në praktika diskriminuese, të tilla si aplikimi i tarifave të ndryshme për përdoruesit e ngjashëm që veprojnë në të njëjtat tregje.

“Aplikimi i deritanishëm ka qenë tejet i kontestuar nga subjektet dhe praktikisht i pa aplikueshëm. Si rezultat i kësaj është trashëguar një realitet abuzues, viktimizues për të gjitha palët në këtë proces. Tashmë me këtë sistem tarifor vendoset ekuilibri i munguar mes palëve duke i dhënë fund abuzimeve në tregun e produktit artistik”,përfundon njoftimi për shtyp i Ministrisë së Kulturës.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne