Bota

“E drejta ndërkombëtare është në anën e Palestinës”

Pedagogu në pension në Universitetin Prinveton dhe profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Richard A. Falk, tha se “E drejta ndërkombëtare në çështjen palestineze është shumë e qartë dhe mbështet Palestinën në të gjitha aspektet e saj”.

Profesori Richard A. Falk, ka folur në konferencën me temë “Palestina, diskriminimi dhe e ardhmja” në kampusin e Universitetit Sabahattin Zaim të Stambollit. Në fjalimin e tij, Falk, ka folur rreth përmasave ligjore të problematikës Palestinë-Izrael, ku dhe ka bërë vlerësimin e tij për procesin e të drejtës ndërkombëtare e cila ka nisur me pushtimin e Jerusalemit nga Izraeli.

Pasi ka vënë në dukje se Izraeli ka pushtuar Jerusalemin duke shkelur rregullat të drejtës ndërkombëtare, Prof. Falk, është shprehur “Pushtimi i Jerusalemit nga Izraeli, ndërprerja e ujit për qytetet palestineze, vazhdimi i vendosjes së vendbanimeve të paligjshme, përdorimi i forcës së tepruar janë plotësisht në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.”

Ndër të tjera ai ka shpjeguar se Izraeli gjatë “luftërave gjashtë ditore” në vitin 1967 mundi Egjiptin dhe Jordaninë si dhe mori nën kontroll kodrinat Golan në Siri, ku dhe pikërisht pas kësaj Izraeli ka nisur të pushtojë territoret e Palestinës.

Duke u shprehur se Jerusalemi është pushtuar me pretendimin se Jerusalemi është kryeqyteti “i përhershëm dhe i pandarë” i Izraelit, Falk ka kritikuar Kombet e Bashkuara për “dështimin në zgjidhjen e problemit Izrael-Palestinë.”

“Problemi i Palestinës është një prej problemeve më të rëndësishme që Kombet e Bashkuara duhet të zgjidhin. Ndaj Izraelit i cili që prej 70 vitesh është anëtar i Kombeve të Bashkuara nuk është zbatuar asnjë presion dhe problemi i Palestinës nuk është zgjidhur. E drejta ndërkombëtare është e dobët ose nuk është e rregulluar për të fortët. Ajo duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë”, është shprehur Falk.

Pasi ka folur për përpjekjet që palestinezët kanë treguar për të përcaktuar fatin e tyre, Falk ka bërë vlerësimin se “E vërteta është një parakusht i domosdoshëm i sistemit ligjor. Problemi i Palestinës është një e vërtetë, populli palestinez po tregon një përpjekje të vërtetë. Synon të përcaktojë vetë fatin e tij dhe një paqe të vazhdueshme. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Sistemi ndërkombëtar në këtë çështje është i detyruar të marrë një vendim të qartë.”

Gjithashtu në fjalën e tij Falk ka shtuar se “E drejta ndërkombëtare në çështjen palestineze është shumë e qartë dhe mbështet Palestinën në të gjitha aspektet e saj.”/ AA

OPINIONE

INTERVISTA