E droguan dhe shfrytëzuan seksualisht, i vihet tritol banesës së 17-vjeçares në Fushë Krujë, ç’ndodhi gjatë natës

Një sasi tritoli është vënë gjatë natës së kaluar në oborrin e një banese, në Fushë Krujë.

Lënda plasëse është hedhur në banesën e 17-vjeçares, e cila ishte shfrytëzuar seksualisht nga 4 persona, që ushtronin edhe veprimtarinë kriminale në fushën e kultivimit të kanabisit.

Katër të rinjtë u arrestuan një ditë më parë, pas një hetimi disamujor, ndërsa u shpallën në kërkim edhe 2 persona të tjerë të implikuar në ngjarjen e rëndë.

Policia ka identifikuar autorin që ka vendosur pakon me lëndë plasëse artizanale në banesën e adoleshentes, që fatmirësisht nuk ka shpërthyer. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë ekspertët e anti-eksplozivit të RENEA-s, të cilët kanë hequr lëndën e rrezikshme.

Një ditë më parë, policia njoftoi se të arrestuarit “kanë nxitur për përdorimin e drogës një 17-vjeçare dhe e kanë shfrytëzuar seksualisht atë”.

Njoftimi i policisë:

Hodhi një pako me lëndë plasëse artizanale në ambientet e jashtme të një banese, por pa shkaktuar shpërthim, Policia në kohë rekord identifikon dhe shpall në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes.

Më datë 12.07.2020, rreth orës 23:00, në ambientin e jashtëm të banesës së shtetases M. F., në Fushë Krujë, është gjetur një pako brenda së cilës dyshohej se kishte lëndë plasëse, e cila nuk ka shpërthyer.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat antieksploziv të RENEA-s dhe pas verifikimeve ka rezultuar se brenda pakos kishte një sasi të vogël lëndë plasëse artizanale.

Si rezultat i hetimeve grupi hetimor ka bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, i cili është shtetasi A. B., dhe po punohet për kapjen e tij./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne