E fejeuara e Khashoggit: Sauditët synojnë mbylljen e shpejtë të çështjes se vrasjes

Hatice Cengiz, e fejuara e gazetarit të vrarë saudit Jamal Khashoggi, ka deklaruar se vendimi i Arabisë Saudite për dënimin me vdekje ndaj pesë personave për përfshirje në vrasjen e gazetarit të shquar saudit synon mbylljen e shpejtë të çështjes dhe heshtjen e atyre që kanë informacione mbi vrasjen.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Cengiz tha se aktgjykimi erdhi pa një proces të duhur gjyqësor dhe se deklaratat e të akuzuarve u mbajtën të fshehta.

Prononcimi i të fejuarës së gazetarit të vrarë vjen pas vendimit të një gjykate saudite, e cila dënoi pesë persona me vdekje për përfshirje në vrasjen e Khashoggit.

“Ky aktgjykim është i papranueshëm dhe në kundërshtim me ligjin. Besoj se mbyllja e menjëhershme e çështjes synohet me ato aktgjykime. Njoftimi (saudit) nuk i përgjigjet pyetjeve pse është kryer vrasja, kush e ka urdhëruar atë dhe ku është trupi që është kërkuar 15 muajt e fundit. Përgjigjet duhet të jepen për ta bërë aktgjykimin e pranueshëm. Nuk është e mundur të dënosh njerëzit pa u përgjigjur këtyre pyetjeve. Unë definitivisht nuk e pranoj”, deklaroi Cengiz për AA.

Duke kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar të veprojë për të siguruar drejtësi dhe të refuzojë dënimet e gjykatës saudite, Cengiz porositi se, “Presion më i madh politik është i nevojshëm për vendin në fjalë”.

Duke folur sot në një konferencë për media në Rijad, zëdhënësi i kryeprokurorisë saudite, Shalaan al-Shalaan, tha se 11 persona akuzoheshin për lidhje me vrasjen e Khashoggit, prej të cilëve pesë persona u dënuan me vdekje për përfshirje në vrasje dhe tre persona me gjithsej 24 vite burg për rolin e tyre në mbulimin e krimit dhe shkeljen e ligjit.

Al-Shalaan po ashtu tha se tre të dyshuar të tjerë u shpallën të pafajshëm, ndërsa për këshilltarin mbretëror, Saud al-Qahtani, tha se ai është hetuar, por nuk është akuzuar për vrasjen.

Për ish-konsullin e përgjithshëm në Stamboll, Mohamed al-Oteibi, zëdhënësi i kryeprokurorisë tha se ai nuk u akuzua, sepse “nuk ishte në konsullatë në kohën e vrasjes”.

Për ish-shefin e inteligjencës saudite, Ahmed Assiri, siç tha al-Shalaan, ai ishte hetuar, por nuk janë gjetur prova që e përfshinin atë në vrasje. Ai shtoi se Prokuroria Publike po ashtu nuk ngriti akuza kundër dhjetë personave të tjerë të cilët i liroi për shkak të provave të pamjaftueshme.

Khashoggi, një kolumnist i “The Washington Post” dhe banor i SHBA-ve, u vra pasi hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor të vitit 2018, në një vizitë për të marrë një dokument për martesën e tij.

Pas 18 ditëve të mohimit të vrasjes nga Rijadi, autoritetet saudite thanë se ai ishte vrarë në një zënkë që shpërtheu midis tij dhe 18 sauditëve dhe i arrestuan ata për hetime pa dhënë detaje të tjera mbi vrasjen ose vendndodhjen e trupit të Khashoggit.

Raportuesja e posaçme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Agnes Callamard, në një raport konstatoi se vrasja e Khashoggit ishte “ekzekutim i qëllimshëm dhe me paramendim”. Ajo inkurajoi një hetim ndaj Princit të Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman.

Megjithatë, zyrtarët sauditë kanë këmbëngulur se princi saudit nuk ishte i përfshirë në vrasje./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne