Më e keqja ndodhi

nga Dorian Matlija

Më e keqja ndodhi. Ajo që kishim paralajmëruar që në shtator të vitit të kaluar ndodhi. Një ish qiramarrëse, e dëbuar nga shtëpia ku jetonte prej 70 vjetësh, ndërroi jetë në mënyrën më jodinjotoze, para syve të të gjithëve. Jo sepse ajo vuante nga ndonjë sëmundje e pashërueshme, por nga i ftohti, në mes të rrugës, para Bashkisë Durrës. Sofia 87 vjec jetonte së bashku me nipin e saj 67 vjec prej 6 javësh në një stol në lulishten para bashkisë. Atje konsumonte atë pak pension dhe lëmoshat e qytetarëve. E pra ajo nuk ishte njeriu që nuk kishte punuar asnjëherë dhe nuk ishte as kumarxhie që ta kishte lënë shtëpinë në kazino. Ajo ishte një qytetare e ndershme e cila kishte punuar gjithë jetën për të mos vdekur në lulishte e mbuluar me kartona. E kishim paralajmëruar tragjedinë që në orët e para të saj. Kishim thënë se të pastrehët që po hidheshin në rrugë, një ditë edhe mund të vdisnin nëse shteti do i linte pa i sistemuar.

Ia thamë këtë gjë të gjithë autoriteteve që duhej të kishin veshë për të dëgjuar dhe zemër për të dashur të kuptonin. Ia thamë qeverisë që po gabonte duke i nxjerrë jashtë qiramarrësit e ish banesa shtetërore pa i sistemuar ata në mënyrë adekuate dhe efektive. Qeveria na u përgjigj se ishim komunistë dhe se edhe kleri i lartë fetar i kishte falenderuar për kthimin e pronës. Por ama shërbesën e fundit kësaj viktime nuk po ia kryen tani askush. Olldashi dukej i kënaqur që po u shërbente pronarëve në dorë urdhërat e ekzekutimit që do i bënin një palë të pasur dhe të tjerët në mëshirë të fatit. E djathta triumfoi par exellence. Pronari mori pronën e blerë dikur nga stërkatragjyshi, që jo në pak raste kishte qenë ushtarak i lartë i perandorisë otomane apo kapterr i qeverisë së mbretit Zog. Kurse qiramarrësit duhet të shkonin e të vrisnin veten.

Ia thamë edhe Gjykatës Kushtetuese, por ajo e gjykoi të drejtë aktin normativ sepse qeveria u kishte ofruar kredi shtresës së prekur. Gjyqtarët e kësaj gjykate e besuan kollaj këtë gjë sepse mbase vetë ata kanë mundësi të marrin kredi dhe u duket se e gjithë bota jeton si ata. Me një naivitet fëminor u besua që Sofia 87 vjece,dhe nipi i saj Llazi 67 vjec, mund të merrnin kredi për 30 vjet që Sofia me superpensionin e saj 100 mijë lekë të vjetra në muaj do paguante këstet e kredisë deri sa të bëhej 1 17 vjec dhe pastaj do jetonte e lumtur!

Ia thamë prapë qeverisë me një peticion të nënshkruar nga përfaqësuesit e 678 familjeve në vigjiljen e Krishtlindjeve. I thamë që është dimër dhe njerëzit e moshuar, apo ata të sëmurë, mund të vdesin nga i ftohti. Por mesa duket qeveria nuk na besoi sepse iu duk cudi që mund të vdesësh nga i ftohti në një vend të ngrohtë si i yni. Sigurisht, nëse ke zyrën e ngrohtë, nëse të shërbejnë cdo ditë kafe të ngrohtë në tavolinë, nëse makinën e ke të ngrohtë dhe ujin në rubinetin e banjos së kryeministrisë e ke po aq të ngrohtë, i ftohti është një nocion i harruar.
Ia thamë edhe opozitës së asaj kohe. Vumë re që ajo e bëri menjëherë pjesë të kauzave të veta elektorale. U menduan plane për të anulluar aktin normative nëse do vinin në pushtet, plane që të mundësohej strehimi masiv i gjithë kategorisë, plane për ndërtime e plane për financime. Por pas zgjedhjeve vendimi i parë ishte lidhur me foton zyrtare që hijeshonte muret, duke harruar se cfarë ndodh përtej atyre mureve. Më e rëndësishme u bë cështja se mustaqet e kujt ishin më të hijshme, ato të thinjurat e Ismail Qemalit, apo ato më brune të Bujar Nishanit. Kaluan ditë dhe akti normativ për debimin e mbi 3000 familjeve vazhdon të bëjë kërdinë atje jashtë, por qeveria është shumë e zënë me ndarje tortash pushtetesh e ngrenie drekash pune. I ftohti erdhi prapë me vjeshtën por qeveria e re është më shumë e fokusuar se kush do ngrohë karriken e rradhës.

Ia thamë edhe bashkive. Madje vetë nipi 67 vjecar i viktimës thotë se shkoi disa herë të takonte Vangjush Dakon por ai i tha se dy pleqtë e shkretë, viktima të një shteti modern që quan të drejtën e pronës më të shtrenjtë se të drejtën e jetës, ishin bërë turpi i bashkisë. Ata i kishin nxirë faqen Dakos dhe bashkisë së tij prandaj duhet të iknin së bashku me kartonat e tyre në një lulishte tjetër, ndoshta në një bashki tjetër. Kjo deri sa të bëheshin turpi edhe i bashkisë tjetër…
Jo vetëm ne, por edhe Avokati i Popullit u investua në dhjetëra deklarata për shtyp e rekomandime. Por edhe fjalët e tij ranë në veshin e shurdhër dhe zemrën gur. Tani viktima iku nga stoli i lulishtes.
Iku edhe nga inventari i Entit Kombëtar të Banesave që tani ka një të pastrehë më pak. Iku edhe nga lista e kredive duke kursyer lekët e interesave që do paguante shteti, sipas besimit naiv të gjyqtarëve komodë kushtetues. Iku edhe nga lista e hallexhinjve që qeveria e re ka thënë se do sistemojë para se të vinte fushata elektorale e rradhës.

Por kjo ikje në këtë formë është krim. Shteti nuk garantoi dot as të drejtën e jetës së kësaj të moshuare që nuk pati thjesht fatin e keq lidhur me shëndetin. Ajo pati fatin e keq që jetonte nën drejtimin e një qeverie të mbrapshtë, nën gjykimin e gjykatave që ende besojnë se gomari fluturon dhe nën drejtimin e një kryebashkiaku që beson se varfëria është turp.
Ajo pati fatin e keq edhe të ngathtësisë së një qeverie të re që kutururepset mes estetikës së ngjyrave, fjalimeve të thurura bukur dhe vëmendjes mediatike. Humbja e jetës së viktimës, vërtet u nis nga një akt mizerabël i qeverisë që iku, por u bitis dhe rëndon njëlloj edhe në përgjegjësinë e mosveprimit të qeverisë së re, duke u regjistruar kështu si viktima e parë zyrtare pas 23 qershorit. Nëse kjo dosje një ditë përfundon në Strasburg, ky i fundit do thotë që mosveprimi shkeli në mënyrë thelbësore të drejtën e jetës së garantuar nga neni 2 i Konventës.
Akti normativ pa dyshim që ishte dhe mbetet një akt kriminal. Autorët u larguan nga pushteti jo për të këmbyer karriket, por për të zhbërë mbrapshtinat e tyre. Nëse ka një akt normativ që është në kushtet e nevojës ekstreme dhe urgjencës është pikërisht ai akt që do anullojë aktin e vjetër normativ që sot po vret njerëz. Gjithashtu urgjente është nevoja për të sistemuar të gjithë të pastrehët e kësaj kategorie qoftë edhe përkohësisht. Për këtë nuk duhet shumë punë, nuk është e domosdoshme as konsulenca e Tony Blair, as fotografia e Ismail Qemalit në mur dhe as ndonjë kombinim i bukur ngjyrash. Për këtë akt duhet vetëm vullnet dhe nëse ky mungon atëherë harram ato 1 milion shpullat e shqiptarëve.

 

IMG_2497

 

 

 

 

 

 

 

 

 

IMG_2497IMG_2498IMG_2501

 

Sofie Qendro, e moshuara e cila jetonte ne nje cader para Bashkise se Durresit, pas nxjerrjes nga shtepia per shkak te aplikimit te ligjit per kthimin e banesave te ish-pronaret, ka nderruar jete. Gjate gjithe ketyre diteve dy te moshuarit kishin kerkuar nje zgjidhje nga Bashkia. Pa pergjigje. Madje aq besim kishin te shteti sa refuzuan edhe nje inisiative private per ti ndihmuar pas botimit te nje artikulli per ta ne DITA. Por Sofia ne moshen e saj nuk mund te priste pa fund. Shkrimin mund ta gjeni me poshte

Portret-Akuzë (FOTO) – Botuar ne 29 shtator

Mu në zemër të Durrësit, një stol i lulishtes përballë bashkisë është shndërruar në “shtëpi” banimi. Aty banojnë dy njerëz, dy varfanjakë, që jetojnë në mjerim afrikan, në një vend të NATO-s, që aspiron për t’u anëtarësuar në BE. Këta dy persona janë pjesë e kontigjentit prej mijëra shqiptarësh, që ra pre e operacionit tip “fshesa”, të ndërmarrë nga ministri Olldashi në muajt e fundit të sundimit të kabinetit Berisha.  Këto dy viktima ishin strehuar që nga viti 1948 në shtëpi të konfiskuara nga regjimi komunist ish pronarëve legjitimë.
Në pamje të parë operacioni “fshesa” dukej se synonte të korrigjonte, ndonëse me shumë vonesë një padrejtësi, një krim të komunizmit. Faktikisht në jo pak raste ky operacion prag-zgjedhor ishte një nga veprimet e fundit të Kabinetit Berisha të nxitur nga motoja të vjedhim çfarë të mundemi deri ditën e fundit, që do jemi në kolltukët e pushtetit. Në të mirë të këtij konkluzioni shkon edhe fakti, që ka dhjetëra kontrata parablerjeje të pronave të ish pronarëve nga njerëz pranë ish pushtetit Berisha apo të afërm të ish pushtetarëve. Këto blerje bëhen me çmime më së paku dhjetë herë më të ulëta se mesatarja e tregut. Në këtë rast kemi të bëjmë  me një plaçkitje të re të pronave të ish-pronarëve, por tashmë me mjete demokratike. Tipik në Durrës është rasti i plaçkitjes së pronave të patriotit të shquar Idhome Kosturi. Nëse një ditë do të hapen letrat për këtë plaçkitje pasurish të patundshme, me siguri qelitë e burgut të ri të Drenovës nuk do mjaftonin për të strehuar “batalionin” e hajdutëve të pronave. Kjo fshesë duke pretenduar të korrigjonte një padrejtësi thuajse shtatëdhjetëvjeçare, krijoi një padrejtësi të re dhe njëkohësisht u ofroi pushtetarëve një mundësi të re për të blerë për dy grosh prona të patundshme në zemër të qyteteve shqiptare.

Le t’u kthehemi dy viktimave, që edhe tani në vjeshtë flenë në stolin përballë Bashkisë së Durrësit. Zonja Sofie Qendro është 86 vjeçe. Ajo ka punuar gjithë jetën në ndërmarrje të ndryshme në Durrës dhe sot jeton me 14.000 lekë të reja pension duke fjetur në qiell të hapur në pritje të shirave të vjeshtës dhe ngricave të dimrit. Zonja vuan nga një koleksion sëmundjesh si spolindiatroza, kardiopatia dhe artriti i agravuar. Kuptohet, që 100 Euro pension me zor mbulon shpenzimet për ilaçe dhe për ushqimet më të domosdoshme sa për të mos vdekur nga uria, ndërsa për banesë mbetet stoli i lulishtes. Bashkë me zonjën në stol banon dhe nipi i saj Llazi Qendro, 64 vjeç, i cili që në vitin 1966 është me kartelë mjekësore të përpiluar nga neurologu i famshëm durrsak Miti Vokopola. Llazi është një person i mirënjohur nga durrsakët e para vitit 1990. Sot ai mbijeton me ndihmë ekonomike prej 9.500 lekësh në muaj. Këta të pastrehë nuk janë as kriminelë, as refugjatë lufte nga Siria, as edhe nomadë romë. Janë thjesht qytetarë shqiptarë, që trajtohen si qen jo si qenie njerëzore. Që të dy viktimat e VKM-ve të muajve të fundit të qeverisë Berisha gëzojnë statusin e të pastrehut, dhe duhet të pajisen me banesë shtetërore në përputhje me këtë statut, por faktikisht flenë në lulishte në mjerim të plotë. Llazi është përpjekur me dinjitet të mbijetojë duke larë vitrinat e dyqaneve dhe duke shfrytëzuar iniciativat e ndryshme të shoqatave bamirëse, por dëbimi nga banesa e ka dekurajuar komplet. Këtë goditje ai dhe tezja e tij plakë nuk po dinë si ta përballojnë.

A ka shpresë për Llazin dhe tezen e tij 86 vjeçare? Vështirë! Shoqëria shqiptare  karakterizohet nga një hipokrizi e skajshme dhe cinizëm i pafund. Nja tre vjet më parë shoqatat për mbrojtjen e kafshëve dhe disa media të njohura sulmuan ashpër Bashkinë e Durrësit dhe të Tiranës për barbarinë e treguar në vrasjen e qenve rrugaçë. Të tilla OJF nxituan të aplikojnë pranë ambasadave të huaja për fonde për ndërtim stela qensh komunalë të paktën në qytetet kryesore të  Shqipërisë. Lavdi zotit qentë e rrugëve në Durrës sot janë shëndoshë e mirë dhe shëtisin me tufa edhe në qendër të qytetit, madje në të njëjtën lulishte, ku “banojnë” dy të mjerët personazhe të shkrimit tonë. Qentë në këtë rast gëzojnë të njëjtin standard me dy qenie njerëzore! OJF-të hipokrite ngritën stuhi në gotë uji për persekutimin ndoshta edhe të stisur të  Klodit të “Big Brother”, derisa edhe Sekretarja Klinton ngriti zërin në mbrojtje të shqiptarit Klodi. Po shqiptarin, po durrsakun Llazi kush e mbron? Po për tezen e tij plakë, kur do kujtohet shoqëria, kur të ketë vdekur nga të ftohtit duke fjetur në stolat e lulishtes?

Ku janë OJF-të që u rrjepin miliona Euro e dollarë donatorëve të huaj për të sensibilizuar, për të bërë programe anti-varfëri, për të përkrahur më të paprivilegjuarit etj? Kryebashkiaku Dako ka premtuar se odiseja 20 mujore e ndarjes së banesave sociale për të pastrehët do marrë fund në mbledhjen e tetorit të këshillit bashkiak. Kryebashkiaku ka besim se konfiguracioni i ri i këshillit bashkiak do i japë fund lojërave politike në kurriz të të pastrehëve. Problemi është se zonja Sofi dhe Llazi nuk kanë miq, kështu që ka shumë mundësi, që shtëpi të marrin njerëz edhe më të pastrehë se Llazi, që fle në stolat e lulishtes. Dimri po vjen dhe nuk është çudi, që njëlloj si në shkrimet e Migjenit, kur durrsakët të zgjohen në mëngjes të mësojnë nga shiritat e lajmeve se një zonjë e nderuar vdiq duke fjetur në stolat e lulishtes. Po, ajo ka jetuar një jetë të tërë me nder, me djersën e ballit dhe indiferenca, cinizmi dhe hajdutëria mund ta çojnë drejt vdekjes me këtë jetë qeni,që po bën në pleqëri të thellë.

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne