E paprecedentë, gënjeu për punën në 10 vitet e fundit. Sipas Kushtetutës, anëtarit të KLGJ Alban Toro duhet t’i ndërpritet mandati

Skandali me emërimin e Alban Toros si anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor vazhdon me mungesën e reagimit nga institucionet që duhet të ushtrojnë detyrën. News24 zbuloi se Toro është zgjedhur në kundërshtim me ligjin, pasi nuk plotëson kriterin që ka të bëjë me ushtrimin e profesionit si avokat 10 vite pa ndërprerje, ashtu siç është përcaktuar nga Ligji 115/2016.

Të dhënat e regjistruara në Qëndrën Kombëtare të Biznesit nxjerrin në pah faktin që Alban Toro ka paraqitur dokumente të rreme në Kuvend, pasi në 15 vitet e fundit Alban Toro e ka pezulluar tre herë aktivitetin si avokat. Në këto rrethana Këshilli i Lartë Gjyqësor, e ka për detyrë kushtetuese që nëse njëri nga anëtarët e saj nuk përmbush kriteret, duhet të deklarojë ndërprerjen e mandatit. Në nenin 147/b të Kushtetutës, pika 1, gërma d thuhet se “Mandati i anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor mbaron, kur vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit”.

Në rastin konkret vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë, pasi provohet se Alban Toro në dhjetë vitet e fundit ka patur të paktën tre herë pezullim të aktivitetit si avokat, pra nuk ka punuar në mënyrë të pandërprerë siç e kërkon ligji. Këto fakte ngarkojnë me përgjegjësi edhe dy institucionet që merren me verifikimin e kushteve të zgjedhjes së anëtarëve të organeve të drejtësisë. Pikërisht Avokati i Popullit dhe Kuvendi në rastin e Alban Toros kanë mbyllur sytë përballë papërputhshmërisë me kriteret ligjore.

Sipas dokumentave të Qëndrës Kombëtare të Biznesit, në periudhën kohore kur Alban Toro ka pezulluar aktivitetin si avokat, ka punuar jurist në banka private dhe drejtues i agjencisë së sigurimit të depozitave. Në biografinë e publikuar në faqen zyrtare të KLGJ, nuk jepen detaje të ushtrimit të aktivitetit si jursit i spikatur. Në faqe jepen të dhëna të vakëta pa data konkrete të punës së tij në vitet e karrierës./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne