Rajoni

E paqartë se kur do të shkojë Demarkacioni në Kuvend

Koalicionit qeverisës ende i duhen edhe 2 apo 3 vota për të ratifikuar marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi. Kadri Veseli e Ramush Haradinaj po shprehën të bindur se gjatë javës së ardhshme kjo marrëveshje do të shkojë në Kuvend, por deri më tani nuk ka ndonjë vendim zyrtar.

Kryeministri Haradinaj, dje në një intervistë për televizionin publik tha se Lista Serbe do ta votojë Demarkacionin, edhe pse kjo parti në një komunikatë e mohoi një gjë të tillë.

“Janë ndërtu shumë argumente që të kemi një votë të mjaftueshme për demarkacionin. Kemi diskuru me deputetët në radhë të parë të partive tona dhe emi në biseda me Listën Serbe dhe mendoj se ka bazë që të votohet nga të gjithë. Besoj se javën që vjen do e përmbyllim këtë temë”, tha Haradinaj.

Kurse për Listën Serbe kjo çështje është parti që duhet ta kryejnë partitë shqiptare.

“Për Listën Serbe tema e të ashtuquajturit demarkacion as që ekziston, e as që na intereson ajo çështje, me të le të merren partitë shqiptare në pajtim me programin e tyre politikë”, thuhej në komunikatën e Listës Serbe.

Por duket se koalicioni pa i siguruar votat nuk do ta dërgojë Demarkacionin në Kuvend.

Të paktën kështu ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.

Ai thotë se kurdo që marrëveshja në Kuvend, ata janë optimist se do t’i ken votat e mjaftueshme.

“Kurdo që marrëveshja për Demarkacionin të jetë në rend dite për votim, ne besojmë se do të marrë shumicën e nevojshme për ratifikim”, ka thënë Krasniqi për lajmi.net.

Gjatë javës së ardhshme Kuvendi do t’i mbajë tri seanca, por në asnjërën prej tyre nuk do të jetë në rend dite Demarkacioni.

Se kur do të votohet kjo marrëveshje që do ta mundësojë liberalizimin e vizave, mbetet të shihet.