Opinion

E reja e filmave të vjetër

Arlind Qori

Të gjithë e dinë, edhe propozuesit e allasojtë, se filmat e kohës së socializmit (burokratiko-despotik) nuk kanë për t’u ndaluar. Duhet t’i mendosh punët e kësaj bote nga dhoma pa dritare për të mos kuptuar se për të tillë ndalim mungojnë kushtet elementare: njërrafshësia mediatike, mirëkuptimi publik, vullneti politik dhe, ndoshta më e rëndësishmja në formacionin shoqëror ku jetojmë, interesi i kapitalit (me K po deshët), të cilit prodhimet e Kinostudios “Shqipëria e Re”, të marra falas ose të blera badihava, i sigurojnë reklama. Kështu që, sado ta citojmë Volterin – siç e kanë për zemër liberalët – kundërvënia ndaj censurës do të ishte harxhim kohe.

I kotë është edhe propozimi se filmat në fjalë mund të transmetohen vetëm pasi të lahen me sapunin ideologjik të së tashmes: kritikë kinematografie e zelotë të çfarëdoshëm do t’i shpjegonin publikut se ç’syze duhet të vinte për të parë filmat. Çka në vetvete nuk do të ishte gjë e keqe – fundja kritika këtë presupozon – nëse si parakusht i panegociueshëm i tyre nuk do të ishte njëmendshmëria e diskutantëve se filma të tillë janë për t’u hedhur në kosh. Ose se janë fund e krye gënjeshtra – duke marrë kësisoj rolin e personazhit që luan Mirush Kabashi te “Radiostacioni”. Në debat me kundërshtarët, diskutimi higjienizues përpara filmit do të ishte disfunksional.

Sidoqoftë, propozimi i ndalimit të filmave ka rëndësi pasi ngriti njëfarë debati publik mbi domethënien estetike dhe politiko-shoqërore të atyre produkteve kinematografike. Pati njerëz që me ç’rast kërkuan revizionimin, deri edhe zhdukjen, e çdo gjurme të së shkuarës. Dhe si gjithmonë në të tilla sebepe u evokua shembulli i Gjermanisë postnaziste, paçka se për një pjesë syresh nazi-fashistët mbeten heronj në sirtar: prej antikomunizmit të tyre të tërbuar dhe “what if?”-ve historike me Shqipëri etnike e-më-the-të-thashë. Pati gjithashtu të revoltuar ndaj propozimit në fjalë të cilët, pasi kapërcenin indinjatën, e vinin theksin te vlerat estetike universale të filmave të kohës. Siç nuk munguan edhe ftesa që filmat në fjalë të lexohen gjithmonë në kontekstin e ekzigjencave ideologjike të shtetit totalitar.

A ekziston mundësia që të tilla filma – duke mos harruar asnjëherë se kur, pse dhe si janë bërë – të interpretohen si burim paradoksalisht kritik i formacionit shoqëror kapitalist të së sotmes. Kur i referohem mosharresës nuk e kam fjalën vetëm për faktin se ato ishin produkte të njërit prej aparateve ideologjike më të rëndësishme të socializmit (burokratiko-despotik), por edhe për atë se, pavarësisht vulgarizimit të skajshëm të llojit stalinist, baza teorike e të tilla filmave mbeteshin konceptet e njërës prej shkollave më të rëndësishme të mendimit kritik: materializmit historik. Koncepte si klasat shoqërore, konfigurimi kontradiktor i strukturës shoqërore apo dhënia zë e imazh të nëpërkëmburve të historisë paraqiten artistikisht në një pjesë të konsiderueshme të filmave të kohës.

Guximi teorik mund të na shtynte deri në shkontekstualizimin e plotë të tyre, harrimin e qëllimtë të kohës, aparateve ideologjike që i prodhonin dhe regjimit politik që synonin të përligjnin. Mirëpo ky “guxim” do të përbënte jo vetëm tradhti morale, por edhe burracakëri teorike. Filmat, si e gjithë trashëgimia politike dhe ideologjike e atij farë socializmi, duhen shqyrtuar në kontradiktën e tyre të brendshme e cila, duke mos arritur të pajtohej, shpërtheu dhe në fund e bëri copa-copa atë formacion shoqëror. E kam fjalën për kontradiktën midis shtysës emancipuese dhe mbytjes burokratiko-despotike të tentativës tragjike të çlirimit të njerëzimit nga hekurat e sundimit klasor.

Në ata filma nuk gjejmë vetëm mesianizmin e Partisë apo gjithëpraninë e papersonazhuar të udhëheqësit (i cili në filma nuk ka as zë, as fytyrë kinematografike, por shfaqet vetëm në portrete e buste dhe përcillet ligjërimisht nëpërmjet përfaqësimit nga kryepersonazhet), as pararendësit e tyre revolucionarë të cilët, sipas logjikës deterministo-historike, po bëjnë gati me heroizmin dhe dështimin e tyre lindjen e pashmangshme të Partisë. Në to shfaqen për herë të parë, dhe deri tani edhe të fundit, vulëhumburit e historisë: fshatari, plebeu dhe punëtori. Ata i japin zë dhimbjes, revoltës dhe shpresës së tyre. Janë të paplotë, sigurisht. Fshihet prej tyre dëshpërimi social dhe zvetënimi moral i tyre, aq brutalisht i dhënë prej “Poemës së mjerimit”. Kush nuk di asgjë nga dialektika hegeliane, mund të thotë se realiteti i të varfërve është vetëm ai migjeniani. Pa kuptuar se qenia ngërthen brenda vetes mohimin e saj, ashtu sikundër e dhëna mundësinë e vetëtransformimit. Kësisoj në ta paraqitet edhe potenciali i gjithëkohshëm revolucionar i të shtypurve, që feks rrallë, por aq fort saqë zhbën shekujt që ndajnë një kryengritje të nëmurish toke nga tjetra dhe i vendos njëra pas tjetrës si të ishte e njëjta luftë, që së shpejti do të çlirojë jo vetëm të gjallët, por do t’u falë shpagim të vdekurve që, siç thotë Benjamin-i, as aty në varr nuk gjejnë prehje.

Nga ana tjetër, mënyra se si paraqitet sidomos Shqipëria e viteve ’30, duke kritikuar marrëdhëniet shoqërore dhe ironizuar subjektet sunduese të kohës, mund të shërbejë si analogji kritike me Shqipërinë e sotme: nëpërkëmbja e vegjëlisë, allishverishet e burokracisë dhe pjesëtarëve të klasave sunduese, kalbja e shtetit, llogjet intelektualiste me Orient e Oksident janë vetëm disa prej tipareve të Shqipërisë së pardjeshme e të sotme. Ngjashmëritë tipologjike burojnë nga përbashkësitë strukturore të dy formacioneve shoqërore klasore. Ngjashëm me të pardjeshmen, Shqipëria e sotme mbetet një vend periferik në sistemin-botë kapitalist. Një vend me borgjezi joprodhuese, tregtare e tjetërsuese të pasurive publike, me klasa rentiere që dje ishin bejlerë e sot janë burokratë me zona influence, në bisht dhe varësi kokë e këmbë nga borgjezia e vendeve të qendrës kapitaliste (Italia e djeshme dhe BE e sotme), me ekonomi nxjerrëse të koncensionuar dhe tentativa modernizuese që nuk shkojnë asnjë gisht poshtë sipërfaqes . (A nuk ngjajnë reformat radikale, të dënimit të karrocierëve që rrahin kuajt, të zbatuara nga kryetari i Bashkisë së Lushnjës te “Koncert në vitin ‘36” me ato të kryetarit të Bashkisë së Tiranës që gjobisin ata që pështyjnë në trotuare?!) Për të mos folur pastaj për teoritë gjeopolitike të inteligjencies që bën hesap interesat e shteteve imperiale dhe e vendos veten në krah të kësaj apo asaj fuqie, në “partneritet” afërmendsh, apo luan topa-qytetërimçe[1].

Të tilla ngjashmëri e bëjnë shikuesin e sotëm, sidomos atë të shumtin e radhëve të të papërfillurve, që në filma të mos shohë as Shqipërinë e viteve ’30, as atë të kohës së Partisë, por të sotmen e tij. Kjo mbase shpjegon edhe mosvdekësinë e këtyre filmave. Kjo e fundit, gjithsesi, është monument i dështimit të së sotmes, më konkretisht i kritikës shoqërore imanente të kinematografisë së sotme. Kush di të marrë për shembull një film shqiptar të këtyre viteve që cek, qoftë edhe me doreza, kontradiktat klasore të Shqipërisë së sotme?! Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për pengesa strukturore: nga pamundësia për ta riorganizuar në përmasa industriale prodhimin e filmit si dikur te “Shqipëria e Re” te fakti që askush nuk do të jepte donacione për t’u rifryrë kontradiktave klasore. Kemi gjithashtu edhe frenat ideologjike, ku pozitë hegjemoniste ndër kineastë ka paragjykimi se filmat e arrirë kërkojnë medoemos publik të kultivuar deri në specializim, zakonisht mikroborgjezi teknike e sipër (jo më kot u drejtohen atyre dhe shprehin parehatitë dhe tëhuajësimin e tyre) dhe se populli është pashpresmërisht vulgar në shije. Aq sa nëse një film pëlqehet masivisht, atëherë ai është medoemos sivëlla i telenovelave të pasdites.

Rrjedhimisht, derisa e vetmja kinema popullore e sotme mbetet ajo e telenovelave turko-indiane apo blockbuster-ave hollivudianë, të vjetra në funksionet ideologjike të çlodhjes dhe kalimit të kohës, populli, në kuptimin e atyre që nuk i pyet kush, nuk ka për të pyetur kënd dhe do të vazhdojë t’i përdorë filmat e vjetër si syze të reja të kritikës shoqërore./ OP

Shënime

[1] Kujto dialogjet e “Historianit dhe kameleonët”!

OPINIONE

INTERVISTA