E vërteta e ‘çmimeve’ të OKB-së për Veliajn

Nga Rezearta Çaushaj

Në muajin prill hulumtuam mbi një sërë aktivitetesh jashtë vendit përgjatë një viti të Kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, të cilat, kur kthehej në Shqipëri ai i paraqiste si vlerësime për punën e tij.

Në prill, zbuluam se ai po gënjente në pothuajse të gjitha rastet, ku pretendonte se Tirana kishte fituar çmime europiane, ndërkombëtare apo nga Kombet e Bashkuara dhe konferencat ku merrte pjesë. Në fakt, këto ishin veçse aktivitete të zakonshme, ku kryetarët e bashkive ftohen për të diskutuar se si mund të përmirësohet jeta në qytete apo praktikat më të mira të planifikimit urban.

Në asnjë nga rastet që morëm në shqyrtim atëherë, zoti Veliaj apo Bashkia nuk kishin fituar çmim apo mirënjohje të veçantë.

Kjo sjellje e Veliajt u risoll në vëmendjen e opinionit publik më pak se një muaj më parë, kur kryetari i bashkisë deklaroi se Tirana ishte vlerësuar nga OKB si një nga qytetet me performancën më të mirë financiare. Faktoje.al pyeti organizatorët e konferencës “Bridge for Cities 4.0”, ku mori pjesë Veliaj, nëse ata ia kishin dhënë atij këtë çmim. Organizatorët u përgjigjën se një çmim i tillë nuk ekziston.

Ndonëse përgjigja e tyre i dha fund çdo dyshimi, do të kishte mjaftuar një vështrim në axhendën e aktivitetit në faqen online të konferencës për t’u bindur se OKB nuk jep të tillë çmim.

Nxjerrja në publik e gënjeshtrave të tij, me sa duket, nuk e ka ndalur Veliajn që këtë javë të fitojë një tjetër “çmim”, sërish nga OKB-ja.

Në faqjen e tij në Facebook, ai shkruan:

“Shumë i lumtur që Tirana u vlerësua sërish nga OKB-ja, si një nga qytetet që ka bërë më shumë në politikat e zhvillimit të qëndrueshëm, përmes mbjelljes së pemëve, shtimit të hapësirave të këmbësorëve dhe vëmendjes ndaj fëmijëve.”

Në fakt, sipas informacioneve të publikuara në faqjen online, sesioni i 80-të i Komitetit të Këshillit Ekonomik Europian të Kombeve të Bashkuara (UNECE) për Zhvillimin Urban, Strehimin dhe Menaxhimin e Tokës pati këtë temë qendrore: “Sigurimi i strehimit në banesa të pranueshme, të përshtatshme, të përballueshme dhe të shëndetshme për të gjithë”.

Sipas axhendës, në këtë takim është zhvilluar edhe një diskutim mbi zhvillimin e qëndrueshëm, me fokus shkëmbimin e praktikave të mira mes kryetarëve të bashkive apo titullarëve të institucioneve vendore që morën pjesë.

Përshtypja e rreme që Veliaj kërkon të përcojë është se pjesëmarrësit në diskutimin për praktikat më të mira janë përgjedhur për shkak të suksesit në politikat urbane që kanë zbatuar.

Në fakt, ajo çfarë nënkuptojnë në mënyrë diplomatike të tilla aktivitete është që qytetet me politika urbane të qëndrueshme t’ia kalojnë këtë eksperiencë qyteteve kaotike si Tirana.

UNECE në këtë rast ofron një vendtakim për vendimmarrësit vendorë, por edhe një mundësi që të monitorojë ecurinë e zhvillimit të qëndrueshëm në Europë. Në fund ofrohen rekomandime në përputhje me Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Sesionet e Kombeve të Bashkuara nuk ofrojnë shpërblime, çmime apo dallime mes pjesëmarrësve. Të gjithë ftohen të marrin pjesë në mënyrë të barabartë.

Në fakt, në një dokument për pjesëmarrësit në Ditën e Qyteteve, që Veliaj e përmend në mesazhin video në Facebook, Këshilli Ekonomik Europian shkruan se ka synuar të ftojë të paktën një qytet nga çdonjëri nga 56 vendet anëtare.

Pra, për OKB është e rëndësishme të edukojë qytetet mbi politikat më të shëndetshme urbane për gjelbërimin, strehimin, transportin, trajtimin e ndotjes etj. Qëllimi i OKB-së nuk është të vlerësojë punën e kryetarëve të bashkive.

Kjo është mjaft e dukshme edhe sepse në rastin e vlerësimit të pretenduar nga Veliaj mungojnë disa elemente të rëndësishme që duhet të shoqërojnë çmimet e organizatave me peshën e OKB-së: ceremoni formale për dorëzimin e çmimit, prezantimi i fituesit, tokja e duarve, fjalim i fituesit etj.

Ndërsa qytetarëve të Tiranës Veliaj u ofroi një pamje disa sekonda gjatë punimeve të sesionit dhe intervistën e tij të zakonshme për skuadrën e marrëdhënieve me publikun të Bashkisë Tiranë, që ai e merr me vete ngado.

Një tjetër detaj interesant nga videoja e publikuar nga Veliaj është tentativa për ta paraqitur veten dhe Tiranën si pionier nismash me rëndësi ndërkombëtare. Veliaj tha në video se ishte krenar që Tirana ishte themeluese e një nisme si Forumi i Kryebashkiakëve.

Në fakt, Forumi i Kryebashkiakëve nuk është një nismë e re për OKB-në, por është një prakikë e përdorur edhe nga agjensi të tjera të saj për të përcjellë rekomandimet e tyre në nivelet më të ulëta të qeverisjes së një vendi.

Një ndër më të famshmit është Forumi Ndërkombëtar i Kryebashkiakëve, formuar nga Zyra për Zhvillimin e Qëndrueshëm e Kombeve të Bashkuara, që mblidhet prej disa vitesh tashmë.

Për ta thënë në terma fare të thjeshtë: Veliaj është ftuar në një nga mijëra konferencat, tryezat, sesionet periodike të organizuara nga njëra nga qindra agjensitë e komitetet e Kombeve të Bashkuara.

Këto ftesa nuk i shkojnë Erion Veliajt për meritat e tij, por për hir të pozicionit që ai mban si kryetar i bashkisë së kryeqytetit të Shqipërisë.

Si në çdo konferencë, edhe në këto të OKB-së pjesëmarrësit pritet t’i përmbahen disa veprimeve standarde.

Kombet e Bashkuara presin që pjesëmarrësit të bëjnë një prezantim, ku të flasin për përvojën e vendit nga vijnë, të përfshihen në diskutime për temën, në bashkëpunim me vendet e tjera, dhe të dalin me propozime se si mund të përmirësohet situata.

Këto propozime kthehen në një rezolutë, rekomandimet e së cilës organizatorët presin që vendet të zotohen se do të përpiqen maksimalisht t’i respektojnë, por realisht zbatimi i tyre është tërësisht në varësi të vullnetit të secilit vend.

Pra, kryetari Veliaj nuk ka bërë asgjë të jashtëzakonshme me pjesëmarrjen e tij në sesionin e radhës të Këshillit Ekonomik Europian.

Pyetja e natyrshme është se çfarë e shtyn zotin Veliaj të këmbëngulë në gënjeshtra banale, që nënkuptojnë se ai është një lider vizionar, suksesi i të cilit, mbasi u njoh nga Europa, tashmë po njihet në të gjithë botën?

Mundet vetëm të arrijmë në përfundimin se zoti Veliaj mbështetet nga përkrahja e pakushtëzuar që televizionet kombëtare kanë treguar qoftë duke mos hulumtuar deklaratat e tij të dyshimta, qoftë duke mos publikuar rastet kur mediat online kanë ofruar prova se ai ka manipuluar të vërtetën ose ka gënjyer.

Ajo që ndodh rëndom është që mediat vizive publikojnë “fitimin” e çmimeve, por injorojnë rastet kur vlerësimet ndërkombëtare përgënjeshtrohen.

Nga ana tjetër, organizimi kompleks i një suprastrukture si OKB, ku zhvillohen dhjetra e qindra komitete, këshilla, tryeza çdo ditë, e bën të vështirë për qytetarin mesatar të dallojë, pa ndihmën e profesionistëve të medias, vërtetësinë e deklaratave të vazhdueshme të zotit Veliaj.

Sado e dyshimtë t’i duket qytetarit të Tiranës që OKB-ja i paska dhënë zotit Veliaj një çmim në prill për shkollat dhe kopshtet, një në shtator për performancën financiare dhec së fundmi, një për politikat e zhvillimit të qëndrueshëm, ndërkohë që qytetari nuk ka ujë në rubinetat e shtëpisë, ai e ka të vështirë t’i vërtetojë këto çmime.

Nga vëzhgimet tona, kryetari i bashkisë nuk e ka në plan t’i ndalojë mashtrimet e rangut ndërkombëtar, në dukje të ulëta për një person në pozicionin e tij. Prandaj, Exit do të vazhdojë të informojë për çdo “çmim” me të cilin OKB-ja do ta nderojë atë në të ardhmen. Në lidhje me këtë rast, do ta botojmë sapo ta kemi edhe përgjigjen e organizatorëve të aktivitetit të fundit, ku zoti Veliaj pretendon se është vlerësuar./exit.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne