A do e zgjidhë problemin e terrorit mohimi i Izraelit për hyrjen në Aksa?

Kryeministri turk Binali Yıldırım tha të premten se masat e sigurisë të miratuara nga qeveria izraelite rreth xhamisë Al-Aksa në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit ishin krejtësisht të gabuara, duke shtuar se kufizimet e reja do të komplikonin namazet për muslimanët në vendin e shenjtë.

Duke folur për shtypin pasi mori pjesë në namazin e së premtes në Ankara, Yıldırım theksoi se mohimi i hyrjes së muslimanëve në xhaminë Aksa nuk do të kontribuonte në një zgjidhje për krizën e vazhdueshme në rajon.

“Marrja e një vendimi të tillë radikal mbi kërcënimet terroriste do të çojë në trazira në rajon dhe do të dëmtojë tolerancën ndërfetare”, tha kryeministri.

Yıldırım gjithashtu theksoi se ndjeshmëria e botës islame ndaj kësaj çështjeje ishte në kulmin e saj, duke shtuar se shpresonte që gjithçka të kthehej në normalitet së shpejti.

Izraeli ka instaluar detektorë metalikë në hyrje të xhamisë pas një sulmi aty pranë që vrau dy policë.

Policia izraelite më së fundmi ndaloi njerëzit nën moshën 50 vjeç të hynin në qytetin e vjetër të Jeruzalemit për namazin e së premtes, duke rritur tensionet.

Palestinezët besojnë se pajisjet dhe kufizimet e fundit janë një përpjekje e izraelitëve për të zgjeruar kontrollin mbi vendin, që është me rëndësi fetare për muslimanët dhe hebrenjtë.

Izraeli pushtoi Jeruzalemin Lindor gjatë Luftës Gjashtëditore të vitit 1967. Më vonë e aneksoi qytetin në vitin 1980, duke e pretenduar të gjithë Jeruzalemin si kryeqytetin e shtetit hebraik – një masë që nuk është njohur nga bashkësia ndërkombëtare. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne