Shqiperia

Edhe Musolini dhe Hitleri erdhën në pushtet me vota

Në vitet ’20, Musolini, një ish-majtist që u kthye në fashist, e që sapo kishte ardhur në pushtet me zgjedhje të dhunuara nga bandat e këmishëzinjve,‎ mblidhte në “Piazza Venezia” dhjetëramijëra italianë dhe u drejtohej me gishtin që ngrihej lart kërcënueshëm, kundër kundërshtarëve politikë që i demonizonte. Nga ballkoni mbi shesh ai i fliste turmës për një Itali të mrekullueshme që do t’i kthehej shkëlqimit të Romës perandorake të antikitetit. Për t’ia mbushur sheshet me punonjës të administratës dhe të tjerë, kishin menduar strukturat e këmishëzinjve.

Në vitin 2017 raporti i ODIHR-it tha: “Një përfaqësues partie në qarkun Fier i tha MVZ-së së OSBE/ODIHR-it se një kryetar bashkie u kishte bërë thirrje kompanive publike dhe private të largonin nga puna punonjësit që mbështesnin PD-në.”‎ – Pra, këta që qeverisin sot të kërcënojnë bukën e gojës edhe kur punon në privat, lëre pastaj në shtet.

Në cirkun e sotëm në shesh, administrata u mblodh me presion, atë presionin që ODIHR-i e ktheu në rekomandimin prioritar kundër presionit mbi administratën, por që BE ende duhet ta bëjë kërkesë kryesore për Shqipërinë. Sepse e lexuar ndryshe, do të thotë që shtetin e ka kapur partia-shtet, dhe kjo shkel Angazhimin e OSBE (dokumenti i Kopenhagen 1990) për ndarjen e shtetit nga partia.‎

Punonjës të administratës ishin të detyruar sot të dilnin në mitingun e Duçes së Tiranës, të dëgjonin logorenë përdhunuese të agresivitetit politik që ai nxirrte nga goja, ‎i paflokë e kërcënues pompoz, po ashtu si Duçja i Romës dekada të shkuara.

Bashkë me atë Gebelsin plot spërdredhje të Tiranës, sot dëgjuam se si shpalosen planin e ri: Parlamenti i Parë i historisë së Shqipërisë është një ndërtesë karakatinë, porsi Teatri ‎Kombëtar dhe duhet prishur që të ndërtohen kulla të reja, njësoj si tek Teatri. Po po, Parlamenti i Parë i Shqipërisë është vënë në shënjestër për t’u shembur.

Trushpërlarja nisi që në kohën e Komunizmit, u përpoq ta degradonte atë duke e kthyer në Teatrin e Kukullave, ashtu siç ktheu kishat dhe xhamitë në pallate kulture, apo palestra sporti. Enver Hoxha denigroi Parlamentin Shqiptar duke e quajtur teatër kukullash. Burrat e kombit që themeluan parlamentarizmin shqiptar u demonizuan dhe denigruan si marioneta. Qëllimi i Diktatorit ishte të krijonte Kuvendin Popullor me delet tij komuniste që i bindeshin pa diskutim.

Sot Edi Rama dhe Erion Veliaj, pas retorikës dhe demagogjisë agresive, kanë një qëllim të pastër ekonomik. Prishet Parlamenti i Parë i shqiptarëve të cilin ata ende e mbajnë si teatër kukullash‎ dhe aty jepet me PPP një kullë tjetër. Po ashtu, Muzeu Historik i fillimit të viteve ’80, ai për të cilin Enver Hoxha denigroi dhe shkatërroi ndërtesën e bukur të Bashkisë së kohës së Zogut, është viktimë e të njëjtit plan ogurzi për kulla si simbole të pushtetit mbytës.

Ndryshe nga Enver Hoxha që përdori armët dhe burgun për të shtetëzuar pasuritë, këta të dy po përdorin propagandën denigruese, paratë e krimit dhe korrupsionit dhe Kodin Civil për të grabitur dhe privatizuar pronat, në mënyrë që askush të mos ua marrë më kurrë pasuritë.

Llogarinë e fitimit ekonomik bëjeni vetë. Sa më shumë paratë fitohen, aq më shumë denigrohet si e rrënuar ndërtesa e Parlamentit historik që trushpëlarët dhe të detyruarit me përdhunë. Ashtu do ta duartrokasin vizionin e tyre modern turmat në shesh dhe Rama dhe Veliaj më pas do të thonë që morën miratimin për planin e tyre të kullave nëpërmjet atij “plebishiti” në sheshin e madh të Tiranës.

Që Edi Rama do që të zhdukë historinë e parlamentarizmit, nuk ka asnjë çudi sot që ai ka kthyer në një teatër kukullash Kuvendin e Shqipërisë, një sallë me buratinë që ngrenë dorën kur ai ngre kërcënueshëm gishtin. Madje sot parlamenti, plot 27 vite pas rrëzimit të komunizmit me zgjedhjet e 22 marsit 1992, u zëvendësua nga plebishiti i Sheshit Skënderbej, ku militantët e pushtetit dhe administrata e dhunuar shërbejnë si aprovim i planeve ogurzeza të Ramës dhe Veliajt.

Por sot ka rënë Republika dhe është ngritur Edi Rama, Dux apo Udhëheqësi i Shqipërisë‎. Sot nuk ka më asnjë dyshim, kur Rama fillon sulmin ndaj diçkaje dhe Veliaj spërdridhet duke shitur vizionin e tij modern, qëllimi është i pastër për kapje pushteti dhe fitime marramendëse.

Parlamenti i parë i Shqipërisë duhet transformuar nga Teatër Kukullash në Muzeun e Parlamentarizmit. Duhet ta shpëtojmë ndërtesën e tij nga grykësia e Edi Ramës dhe marionetës së tij në Bashkinë e Tiranës. Duhet kthyer në simbol të luftës për shpëtimin e demokracisë parlamentare.

Historia na kujton se mitingjet plebishitare te Piazza Venezia dhe Nurembergut ku turmat brohorisnin, erdhën pasi Musolini dhe Hitleri erdhën në pushtet me zgjedhje ku zgjedhësit “bindeshin” nga bandat e këmishëzinjve në Itali, apo këmishëmurrmeve‎ në Gjermani. Po po, erdhën në pushtet me zgjedhje në një demokraci të dobët. Vetëm më pas erdhën dhunimet masive të të drejtave të njeriut dhe krimet.

Nëse presim për këtë të fundit si provë të rivendosjes së shtetit autoritar ku zgjedhjet sistemohen nga bandat, do të jetë shumë vonë, sepse ai lloj shteti do të jetë bërë realitet. Kullat që do zëvendësojnë Parlamentin, Teatrin Kombëtar dhe Muzeun Historik, do jenë monumentet e autoritarizmit të Edi Ramës.

Oerd Bylykbashi

OPINIONE