Edhe nëse mbërrijnë trupat saudite, Shtetet e Bashkuara nuk do të largohen nga Siria

Doha dhe Riadi duhet të arrijnë një kompromis mbi atë se kush duhet të paguajë për praninë ushtarake amerikane në Siri.

Një gjeneral libanez në pension shprehu dyshime lidhur me dërgimin e trupave nga mbretëritë arabe të Gjirit Persik , ndërsa një analist i Omanit shprehet se SHBA dëshiron që Katari të jetë shtylla e tij në rajon. Në një intervistë për mediat, Gjeneral Majori Libanez në pension, Hisham Xhaber, kreu i Qendrës së Lindjes së Mesme për Studime dhe Marrëdhënie me Publikun, tha se edhe nëse Arabia Saudite dërgon trupat e saj në Siri, kontigjenti ushtarak i SHBA nuk ka gjasa të tërhiqet nga Siria. “Sa për dërgimin e forcave ushtarake nga vendet e Gjirit Persik, për të cilin dyshoj për një numër arsyesh, ky veprim do të jetë i nevojshëm për zvogëlimin e shpenzimeve të amerikanëve për luftën në Siri”, tha Xhaber. “Edhe nëse trupat saudite papritmas mbërrijnë në Siri, Uashingtoni nuk do të tërheqë krejtësisht ushtarët e tij nga Siria. Amerikanët do të mbeten në një farë kapaciteti, kjo do të varet nga madhësia e ushtrisë saudite, por do të jetë Riadi që do të paguajë për të gjitha forcat”, shtoi ky gjeneral libanez.

Nga ana e tij, një analist politik i Omanit, i specializuar në çështjet e Lindjes së Mesme, Ali al-Mashaani, beson se SHBA dëshiron që Katari të vendosë forcat e veta ushtarake në Siri. Sipas al-Mashaani, SHBA ka miratuar një “qasje të dyfishtë politike” ndaj rolit të Katarit në krizën siriane. Nga njëra anë, politikanët amerikanë shprehin mirënjohje për Katarin; nga ana tjetër, po i bëjnë thirrje Dohës që të ndalojë mbështetjen e terrorizmit, theksoi analisti politik i Omanit. “Tani Uashingtoni dëshiron të dalë nga kjo situatë e vështirë,” vuri në dukje ai duke shtuar: “Katari do të duhet të legjitimojë pozicionin e tij dhe të zbatojë haptazi planet amerikane në rajon”. Analisti politik saudit Mubarak al-Ati ndan një qëndrim të ngjashëm: Sipas tij, Doha ishte adresa kryesore e thirrjeve të Trump për të kontribuar në aleancën e udhëhequr nga SHBA në Siri. “Është e qartë se deklaratat e Trump iu drejtuan direkt Katarit” ,theksoi al-Ati. Megjithatë, Doha nuk ka treguar shumë entuziazëm për financimin e pranisë ushtarake amerikane në Siri dhe dërgimin e trupave të saj atje./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne