Edhe pasuritë arkeologjike e kulturore me koncesion!

Vetëm pak muaj pasi Këshilli i Ministrave përcaktoi rregulloren përmes së cilës pasuritë kulturore në vend do u jepen nën administrim fondacioneve, ka përcaktuar edhe rregullat për ngritjen e funksionimin e Këshillit Kombëtar të Menaxhimit të Pasurive Kulturore.

Sipas një vendimi të publikuar në Fletoren e fundit zyrtare, ky Këshill Kombëtar do të kryesohet nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe ka në përbërje edhe 10 anëtarë të tjerë të emëruar prej tij.

Përmes vendimit të shtatorit Qeveria përcaktoi rregullat e administrimit të pasurive kulturore publike dhe të funksionimit të subjekteve juridike të themeluara në formën e fondacionit, me qëllim ruajtjen, mbrojtjen, vlerësimin dhe miradministrimin e pasurive kulturore publike, duke garantuar aksesin e publikut në këto pasuri dhe përmirësimin e shërbimeve në to.

Këto rregulla zbatohen për administrimin indirekt të pasurive kulturore publike nga ana e fondacioneve të themeluara nga ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore me partnerë strategjikë ose nga institucionet e specializuara në formën e fondacioneve të trashëgimisë kulturore.

Vendimi përcakton gjithashtu se përveç pasurive të dhëna në administrim, sipas marrëveshjes së lidhur mes ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore dhe fondacionit, ky i fundit mund të zotërojë, të posedojë në format e parashikuara nga legjislacioni në fuqi edhe pasuri të tjera, me vlera kulturore ose jo, kur ky vlerëson se këto pasuri dhe të ardhurat që vijnë prej tyre i shërbejnë qëllimit për të cilin është krijuar.

Për kategorinë e pasurive kulturore publike me rëndësi universale, marrëveshja e administrimit mes ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore dhe fondacionit miratohet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Për kategorinë e pasurive kulturore publike me rëndësi kombëtare dhe lokale, marrëveshja e administrimit mes ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore dhe fondacionit miratohet nga Këshilli i Ministrave./ Tv Scan

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne