Edi Rama: Do të fillojnë riatdhesimet, por nuk tërhiqemi nga karantinimi në hotel

Kryeministri Edi Rama, përmes një mesazhi në rrjetet sociale, tha se do të fillojnë riatdhesimet e shqiptarëve, por qeveria nuk tërhiqet nga kushti i karantinimit të detyruar të tyre në hotel.

POSTIMI I RAMES

Një shembull konkret pse riatdhesimi në këtë fazë duhet të jetë absolutisht i kontrolluar:
Singapori u mbajt si shembulli më fantastik i përballjes me epideminë, me numrin më të vogël të të infektuarve e të të vdekurve për numër popullsie. Por gjërat u përkeqësuan kur u lejua riatdhesimi i pak më shumë se 500 studentëve, të cilëve i’u kërkua të vetëkarantinoheshin në familje, pa futur në karantinë gjithë familjen.

Numri i të infektuarve u rrit ndjeshëm, përmes familjarëve të të riatdhesuarve dhe ky ishte një mësim, jo vetëm për Singaporin po edhe për vendet e tjera, të cilat fillimisht ulën ndjeshëm numrin e të riatdhesuarve, duke i detyruar të karantinohen në hotele dhe pastaj filluan të ndalonin fare riatdhesimet.

Ne do të rihapim rrugën e riatdhesimeve siç e kemi bërë publike dhe nuk do të tërhiqemi nga kushti i karantinimit të detyruar në hotel! Por ju lutem të gjithë atyre të cilët nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të lexojnë, nuk duan të kuptojnë pse kjo rrugë është e vetmja dhe s’ka tjetër për të mbrojtur popullin e vendin tonë nga një valë e re infektimi, që përpara se sa të shajnë e të mallkojnë a thua se kjo është punë qejfi apo dëshire e qeverisë për t’ua vështirësuar riatdhesimin, të paktën të bëjnë durim derisa ta shohin paketën e riatdhesimit! I siguroj që paketa do të jetë e arsyeshme dhe qeveria do të bëjë gjithçka mundet që kostoja financiare e riatdhesimit, të jetë për ta optimale brenda kushteve ku po jetojmë e po veprojmë të gjithë.

Boll me sharje, me akuza, me hesape në hava e me mallkime, sepse kjo është koha që provon se sa di secili të jetë një shqiptar i mirë që sheh përtej hundës së vet dhe që nuk e kthen në argument mllefin apo mosinformimin për atë që flet!/tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne