Shqiperia

Edi Rama reklamë spitalit privat në televizionin e tij, sa lekë t’u ketë marrë për promon?!

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që në “televizionin” e tij privat ERTV t’i bëjë reklamë një filiali të ri të një spitali privat në kryeqytet.

Nuk bëhet fjalë për një investim në një spital shtetëror, apo për ngritjen e një spitali të ri në një zonë ku infrastruktura vështirëson dhënien dhe marrjen e shërbimit, investime për të cilat kryeministri është shprehur se nuk mund të bëhen në tre vite e gjysmë kur nuk janë bërë për 25 vite. Bëhet fjalë pikërisht për një spital privat.

Prej rreth një muaji, televizioni i tij përcjell çdo aktivitet të kryeministrit, nga konferencat, takimet, intervistat, drekat e darkat e tashmë edhe reklamat. E duke e ditur se televizioni nga reklamat mbahet, çdokush mund të pyesë: “Sa lekë të ketë marrë kryeministri për këtë reklamë?”

E megjithatë, Rama e cilëson hapjen e tij si pjesë të Rilindjes së Shëndetësisë, pra pjesë të investimeve apo reformave të qeverisë së tij. Nisur nga kjo, mundet vallë që kjo promo të ketë pasur çmim të kripur? Apo kryeministri po e bën të gjithën falas, pavarësisht se reklamat në televizion paguhen?!

“Një spital modern në Tiranë çel dyert në rrugën e Rilindjes së Shëndetësisë”, shkruan Rama përbri pamjeve që transmeton televizioni i tij.

Sigurisht, ai është kryeministër dhe si i tillë mund të bëjë çfarë të dojë, por ky fenomen i ri, pra reklamimi i një subjekti privat nga një kryeministër që përfaqëson masën, popullin e thjeshtë, flet për një kapërcim të kufijve.

(XH.A/SHUPLAKA)

OPINIONE