Edi Rama takon Damir Fazilliç në Stamboll. Cili është pazari 12 milionë eurosh me mikun e Berishës?!

Kryeministri Edi Rama, rrugën për në Nju Jork për të marrë pjesë në punimet në Asamblenë e OKB, e ka shfrytëzuar dhe për takime që vlejnë miliona euro.

I “apasionuar” pas pazareve me oligarkët klientë të tij, të trashëguar shumica nga Sali Berisha, burimet bëjnë me dije se kreu socialist i qeverisë shqiptare është takuar në Stamboll me biznesmenin kontravers serbo-boshnjak, Damir Fazlliç.

Nuk bëhet e ditur se çfarë është diskutuar në mënyrë lineare në takimin e shkurtër kokë më kokë, por burimet afër biznesmenit sebo-boshnjak bëjnë të ditur se ata kanë biseduar dhe për një tender me një vlerë për 1.28 miliardë lekësh të reja, ose 12 milionë euro.

Ndoshta bëhet fjalë dhe për pazare të tjera mes Ramës dhe Fazlliç, por burimi saktëson se deri më tani vetëm për këtë vlerë prej 12 milionë eurosh ka informacion.

Pazaret e Ramës me mikun e Berishës, Fazlliç janë të njohura dhe e kanë zanafillën direkt pas ardhjes në pushtet të qeverisë së socialistëve, të betuar për të zhbërë gjithçka që kishte nënshkruar në mënyrë të paligjshme sipas PS, qeveria demokrate për oligarkët klientë të saj.

Por atëherë kur mendohej se Edi Rama do ta kishte “dorën” të rëndë për këta oligarkë, mes të cilëve dhe Damir Fazlliç, të cilin e shpëtoi Berisha që të mos i viheshin prangat në Rinas nga ish Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, ndodhi e kundërta: U përfshinë të gjithë në përfitime.

Rasti më flagrant është linja e Interkoneksionit 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë, të cilën e mori kompania që kishte aksionet edhe biznesmeni serbo-boshnjak, që Berisha e kishte bllokuar vetëm e vetëm që ta merrte miku i tij Fazlliç.

Rama nuk ka pritur më shumë se tre muaj pasi hyri në zyrën e kryeministrit, për të marrë vendimin për ndërtimin e linjës së interkoneksionit Shqipëri-Kosovë, me argumentin se do t’i japë fund penalizimit të shtetit të dytë shqiptar në Ballkan nga qeveria e Berishës.

Në atë kohë kreu i qeverisë socialiste akuzoi Berishën se e kishte lënë Kosovën nën mëshirën e serbëve, vetëm për t’i dhënë tenderin mikut të tij Damir Fazlliç, duke premtuar zgjedhje.

Kështu, me një vendim qeverie, Rama vendosi ndërtimin e kësaj linje Interkoneksioni me Kosovën, më konkretisht Kukës-Prizren, duke evidentuar në vendim dhe përfitimet që kanë shqiptarët në të dyja anët e kufirit.

Ky interkoneksion, me financim të bankës gjermane kFW, kërkohej ti jepej një firme boshnjake, me shumë akuza se kishin interesa serbo-boshnjaku Fazlliç, miku i Berishës dhe familja e tij.

Në atë kohë media publikoi faktin se biznesmeni serb, Vuk Hamoviq, njëri nga njerëzit më të pasur në Ballkan, i cili operon në këtë biznes, në bashkëpunim me Fazliç, janë takuar në Vjenë të Austrisë me Shkelzen Berishën për ta marrë këtë koncension, pasi të kishin bllokuar kroatët.

Pasi u bllokua për shumë kohë, përfundimisht linja e interkoneksionit 400 KV Shqipëri-Kosovë nisi të realizohej nga firmat “Dalekovod” dhe “Energoinvest”.

Pavarësisht se Rama akuzoi rëndë Berishën se bllokoi qëllimisht linjën e interkoneksionit pasi dëshironte të shpallte fituese firmën “Energoinvest”, me argumentin se ishte e lidhur me biznesmenin Damir Fazlliç, koncesioni shkoi pikërisht tek kjo firmë.

Një vit pas ndryshimit të pushteteve, socialistët bënë të njëjtën gjë për të cilën akuzuan Berishën. Kompania “Energoinvest” u shpall nga qeveria “Rama” në fund të herës zyrtarisht fituese e tenderit, për pjesën shqiptare të interkoneksionit.

Biznesmeni serbo-boshnjak Damir Fazlliç, i cili kishte përfituar nga miku i tij Sali Berisha Porto-Romanon, “Pullat Fiskale” me një çmim marramendës vetëm pak ditë nga 21 janarit 2011, ku u vranë 4 demonstrues të opozitës në mes të Bulevardit dhe kishte pastruar para, trajtohet financiarisht nga nga Edi Rama.

Me takimin e zbuluar këto ditë në Stamboll, Rama tregoi dhe njëherë se nuk u ndahet shpirti nga oligarkët klientë të trashëguar nga paraardhësi i tij Berisha, pavarësisht se në akuzat ndaj tyre kishte ngritur para vitit 2013, kauzën e opozitës për të ardhur në pushtet./Pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne