Edukimi estetik i koncepteve & zbritje nga e përtejmja

Konceptet estetike të edukuara me burim në të përtejmen nuk ngërthejnë ndonjë transpozicion artistik të së vërtetës, por paraqesin informim esencial dhe autentik të saj. Pikërisht për këtë edhe nuk është e mundur që e vërteta të zbulohet gjithnjë me përmbajtjen dhe pasqyrën e njëjtë. Kontekstualiteti i së përtejmes e paraqet shumëngjyrshmërinë si përgjërim për origjinalitetin dhe cilësimin e aspekteve themelore të përmbajtjes.

Shkruan: Metin IZETI, Tetovë

Zbulesa është vepër e kontekstit. Ajo zbret nga e përtejmja në të përbotshmen në formë dhe përmbajtje, përmes së cilave ka vendosur lidhje dinamike dhe të sofistikuara me traditën në trajtën më të përgjithësuar. Në segmentin ideologjik zbulesa, në të gjitha periudhat, ka bërë ripërtëritje të traditës me përmasa dhe forcë që nuk mund të hasen në asnjë tekst tjetër brendabotëror. Zbulesa hyjnore, në të gjitha rastet, e ka bartur një popull prej idhujtarisë/shumëshmërisë në monoteizmin/njëshmërinë, e ka frymëzuar atë popull dhe hapësirën historike me fuqinë e sistematizimit etik për një kohë shumë të shkurtër. Ky rikthim në të njerëzishmen duhet të jetë i ndikuar nga ndonjë pikë e përbashkët ndërmjet saj dhe subjektit të cilit i dedikohet. Kjo pikë e përbashkët, pa dyshim, është edukimi estetik i koncepteve të zbulesës, të cilat njëkohësisht tharmin e tyre e kanë pasur edhe në gjithësinë, por edhe në karakterin e njeriut. Shenjat e burimit të dërgesës hyjnore në trajtën më sublime estetike janë të përfaqësuara si delikatesa të Qenies së Tij edhe në njeriun dhe gjithësinë, pikërisht siç janë të cekura konceptet e edukuara estetikisht të zbulesës. Ky Tekst, nga njëra anë, i ka çrrënjosur elementet e traditës së caktuar, që e kanë ndërprerë kontaktin me të përtejmen dhe, si të tilla, nuk kanë pasur mundësi të vazhdojnë riprodhimin e koncepteve esenciale të qenësisë, ndërsa – nga ana tjetër – i ka mbrojtur vlerat tradicionale, të cilat ende e kanë ruajtur përmasën aksiologjike të tyre. Inkuadrimi i Tekstit në traditën dhe virtyti i kontekstualitetit të tij janë eksplicite në vazhdimësinë dhe konservimin, si dhe mbisundimin shkallor të disa formave estetike, që në metodologjinë estetike oksidentale do të emërtohet si mimezis. Por, ama, në të do të jetë e ngërthyer edhe kontekstualiteti metahistorik për pohimet e guximshme të Tekstit e, rrjedhimisht, me këtë vetëm do të vërtetohet burimi identik i formave të ndryshme estetike. Si rrjedhojë e kësaj, kontinuiteti dhe kontekstualiteti e kanë arrirë atributin e absolutes, që Teksti e ruan vetëm si qenie të veten. Kjo çështje nuk është e rëndësishme vetëm në segmentin e ideologjikes, por edhe në planin e lidhjes midis formës dhe përmbajtjes ose, më mirë thënë, në të gjitha postulatet estetike.

Konceptet estetike të edukuara me burim në të përtejmen nuk ngërthejnë ndonjë transpozicion artistik të së vërtetës, por paraqesin informim esencial dhe autentik të saj. Pikërisht për këtë edhe nuk është e mundur që e vërteta të zbulohet gjithnjë me përmbajtjen dhe pasqyrën e njëjtë. Kontekstualiteti i së përtejmes e paraqet shumëngjyrshmërinë si përgjërim për origjinalitetin dhe cilësimin e aspekteve themelore të përmbajtjes.

Për rrjedhojë, konceptet estetike të Tekstit paraqiten me pretendime të theksuara për kontinuitetin e historisë – çështje prej së cilës është e zhveshur koha e re – dhe kontekstualiteti i tyre është shumëpërmasor dhe shumëkuptimor. Në realitet, ato janë absolute për shkak se për kontekst të vetin e marrin historinë në tërësi, nga njëra anë, ndërsa – nga ana tjetër – edhe vetë konceptet e të përtejmes e krijojnë kontekstin e vet personal. Nga ky aspekt dalin në pah edhe konsekuencat poetike impresive të së përtejmes. Me fjalë të tjera, e përtejmja vendos një lloj të dialogut me kulturat ekzistuese si dhe të tjera, të përcjella nga e kaluara. Që këtu del edhe intertekstualiteti i zbulesës me të gjitha segmentet e saj. Ajo që të përtejmen e bën edhe më origjinale dhe frymëzimdhënëse është se ajo shpeshherë e citon veten, rrjedhimisht është prototekst, pasi ky është kusht i autenticitetit hyjnor të saj.

Intertekstualiteti i zbulesës në trajtë shumë specifike e përforcon metahistorinë dhe historinë, duke i zbarkuar në një kontinuitet me harmoni sublime. Për të metahistoria dhe historia janë një kontinuum i cili në konceptet e tjera domosdoshmërisht parcelizohet. Ajo në strukturën e vet i përmbledh edhe kontekstet që i paraprijnë dhe në trajtë shumë të përsosur komunikon me të gjithë ato.

Zbulesa nga platforma më e lartë e saj, konteksti ideologjik, bën dritë edhe në konceptet që i ka edukuar nga aspekti juridik, etik, si dhe estetik. Pra, imanenca e zbulesës është një zbritje kategorike e së përtejmes, e cila manifestohet në trajtën më të përkryer përmes koncepteve të edukuara estetikisht në shoqërinë njerëzore. Ajo ka një kontinuitet, që fillon me rrëfimin e ndodhisë e deri në qëllimin e fundit të tij. Gjithashtu konceptet e edukuara estetikisht të së përtejmes, që nisen nga ideja drejt formës, e sigurojnë ekzistencën e idesë për metahistorinë. Pra, ide e cila zbulohet në forma të ndryshme, të zbatuara në kontekste të ndryshme. Format janë të modeluara në kohë dhe hapësira të ndryshme, por gjithnjë duke e ruajtur kontinuitetin e lidhjes me burimin e vetëm dhe të pandryshueshëm.

E përtejmja, përmes edukimit të koncepteve, dëshiron ta zbulojë të vërtetën, ndërsa imagjinata dhe estetizmi i saj i shërbejnë këtij konteksti. Si rrjedhojë, konteksti i saj nuk përfundon në sferën estetike, edhe pse i kushton rëndësi të veçantë, por në sferën etike.

Nuk është e rastit që Kur’ani për komunikimin e vet me botën insiston në konceptin “nezele”, që do të thotë “zbritje”. Zbritja është rruga e vetme adekuate për arritjen e së përtejmes në imanencë. Gjithashtu zbritja është trajta më e përkryer e afirmimit të vertikales si parim i sistematikës botërore, ku Zoti dhe Teksti janë vlerat esenciale. Njeriu, instinktivisht, kur dëshiron të komunikojë me të përtejmen, i kthen sytë lartë drejt qiellit. Pra, zbritjen e Tekstit dhe ngritjen e syve nuk duhet ta kuptojmë tekstualisht, por si metaforë tejet të suksesshme. Ndërsa metaforat e tilla paraqesin koncepte të veçanta për kuptimin e domethënies së botës.

Në një ajet të Kur’anit thuhet: “Ne thamë: “O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet dhe aty hani sa të doni e kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme, se ndryshe do të bëheni të padrejtë”. Shejtani i shtyu të gabojnë e i nxori nga lumturia ku ishin. “Zbritni – u thamë Ne – do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Në Tokë do të qëndroni, do të keni furnizim e do të jetoni deri në një kohë të caktuar”. (Kur’an, 2:35-36)

Fjala kyçe e këtij konteksti është Zbritni/Ihbitu. Ajo e ngërthen vertikalen si metaforë. Edhe vetë folja zbritni është metaforë, që flet shumë për krijimin e botës dhe për rregullin në të. Pra, lexonjësi i vëmendshëm e kupton shpejtë se bota është e edukuar nga vertikalja. Në këtë kontekst nuk është e prishur harmonia midis botës dhe njeriut, por është rregulluar me epiqendër tjetër. Metafora, nëse dominon edhe nga aspekti stilistik, atëherë ka potencial të madh të frymëzimit, që shkon deri në ekstazë dhe, si e tillë, nuk ka shumë nevojë për teknicizmin e formës.

Si rrjedhojë e edukimit estetik të koncepteve, njeriu ngrihet nga përmasa e shumëshmërisë drejt njëshmërisë dhe, bashkë me këtë, zemra i bëhet e prekshme, me shumë butësi shpirtërore, dhe sytë fillojnë t’i lotojnë. Ndjenjat e mëshirës dalin në plan të parë. Kështu fillon çdo gjë të shikojë me sy të urtësisë. Deshi ose jo, ai në çdo gjë fillon t’i shohë pasqyrimet e së përtejmes. Madje, edhe gjërat, të cilat të tjerët i shohin si të shëmtuara, të liga dhe jo të drejta, për shkak se e ndjek gjurmën e së përtejmes , atij të gjitha i duken të bukura. Artisti i tillë, deshi ose jo, bie nga dashuria në dashuri, do të thotë nga bukuria në bukuri. Një i bukur tjetër, i asaj Bukurie Absolute, pasqyrohet në shfaqjen e të vërtetave të qenies dhe atëherë kur ky person e përjeton atë gjë, fillon ta humbë vetëdijen. Kjo bukuri, gjithsesi, reflektohet edhe në përditshmëri dhe fillon ta estetizojë jetën e përditshme të tij. Thënë ndryshe, procesi i filluar me “reading” (lexim) të pastër, kalon në etapën e “understanding” (kuptimit) dhe, në fund, në “unveling” (zbulesë).

Ja si është shprehur kjo zbritje kategorike në poezinë e Mevlana Xhelaluddin Rumiut:

“Unë dashurinë nga plotënia Jote e mësova

Bejtet dhe gazelat t’i thuri, nga Bukuria Jote kopjova

Në perden e shpirtit imagjinata për Ty vallëzon

Nga momenti që në shpirt imagjinata për Ty më vallëzon

Unë vallëzimin më të bukur nga imagjinata për Ty e mësova.”

Një nga shembujt e rëndësishëm të kësaj e gjejmë në polemikat e bëra rreth konceptit “dekonstruksioni” të Derridasë. Ka shembuj të shumtë të zbatimit të dekonstruksionit si metodë për analizën e fenomeneve historike, të teksteve letrare, arkitekturës, kinematografisë, etj. Pika e përbashkët e këtyre nismave është përshtatja e çdo gjëje natyrore, imagjinative ose konceptuale me dekonstruksionin, pra ideja se nuk ekziston asgjë tjetër, përveç gjuhës dhe tekstit. Çdo gjë mbetet brenda gjuhës/tekstit, që shtypet dhe margjinalizohet brenda tij, që si rrjedhim është ende e pashprehur, hyn në sferën e interesit të dekonstruksionizmit. Mund të thuhet se ky qëndrim, nga aspekti i leximeve filozofike, është humanist dhe liridashës. Sipas këtij përkufizimi, dekonstruksioni gjithnjë është me të përjashtuarën, me të diferencuarën dhe të mbuluarën. Vëzhgimet dhe konstatimet që Derrida i ka bërë në çështjet si “logocentrism”, “grammotology’, “dissemination” dhe “differance”, përtej kërkimit të një metode mekanike, synojnë nxjerrjen në pah të elementeve dinamike të ndërveprimit mes qenies, gjuhës dhe subjektit. Sipas intuitës bazike filozofike të Derridasë, në sfondin e vizionit të realitetit njëdimensional dhe racional të imagjinuar nga mendimi perëndimor, ka shumë relacione hierarkike të paemërtuara, përplasje, interesa dhe shenja (signs) që i simbolizojnë ato. Dekonstruksioni është aktivitet i nxjerrjes në pah të përvijimeve të këtyre relacioneve dhe strukturave. Baza strukturaliste e dekonstruksionit kristalizohet në këtë pikë. Strukturalizmi pohon se shenjat, si dhe lëndët dhe fjalët e përfaqësuara nga ato, mund të kenë kuptim vetëm në kuadër të relacioneve strukturale; për këtë arsye pretendon se kuptimi është diçka “funksionale”.

Kjo përpjekje e përngjasimit është simbolike dhe qëllimi i saj është të shkohet prej gjërave që i dimë më shumë drejt atyre që i dimë më pak. Përfaqësimi i lirisë në qiellin ose në pafundësinë e të kaltrës është për të mundësuar kuptimin e koncepteve, mendimeve dhe ndjenjave që i kemi në intuitë, por që nuk mund t’i konkretizojmë.

Thënë troç, edukimi estetik i koncepteve është dalje në udhëtim drejt realitetit. Relacioni dinamik midis rrugës, udhëtarit dhe cakut është burim i gjallërisë së konceptit. Qëllimi i udhëtarit nuk është obsesionimi me shenjat, tabelat e pengesat që do të paraqiten në rrugë, por vajtja në cak. Obligim parësor i udhëtarit të së vërtetës është të tregojë mençurinë intelektuale dhe etike për t’i tejkaluar pengesat që do t’i dalin në rrugë. Siç thotë edhe Heideggeri: “…përsiatja është rrugë në vete. Atë rrugë mund ta ndjekim vetëm nëse qëndrojmë në të…”/ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne