Nga Artur Shkurti
drejtor i shkollës
“Udha e shkronjave”
Tiranë, më 16 gusht 2026
GËNJESHTRA
Sistemi i provimeve shtetërore ku kopja lejohet masivisht dhe nuk merren masa, u jep sinjalin mësuesve, prindërve, nxënësve të gjejnë mënyrën të kopjojnë edhe ata, nëse nuk duan të mbeten prapa. Dallimi i nxënësve të shkëlqyer: kopjojnë më pak sesa të dobëtit, por kjo nuk i shpëton nga të gënjyerit nga pak.
PLAGJIATURA (vjedhja intelektuale).
Detyrat (punë kërkimore, projekte) duhet të jetë punime origjinal. Nëse mësuesi me vetëdije nuk përpiqet të zbulojë origjinalitetin e detyrës, atëherë i jep sinjal nxënësit të vijojë me plagjiaturë. Në këtë mënyrë sistemi arsimor edukon “vjedhjen”.
SHTYPJA, FRIKA
Shembulli më i qartë i shtypjes është mosreagimi ndaj vjedhjes së të dhënave personale e sensitive me urdhra shtetërore të paligjshëm që detyrojnë mësuesit, shkollat t’ua japin përditë notat, sjelljet, mungesat, orientimet e nxënësve dhe tashmë edhe pamjet, lëvizjet, identitetin fizik. Megjithëse shkollat kanë prindër juristë, avokatë, gjykatës, prokurorë, oficerë policie dhe të gjithë të dëmtuar në këtë çështje asnjë prej tyre nuk reagon.
Shkollat private e kanë patur arsyetimin ligjor nga shkolla “Udha e shkronjave” për të mos pranuar eksportimin e të dhënave personale. Ato me vetëdije iu nënshtruan sistemit antiligjor dhe ecën me shpresën meskine “ishalla e pëson vetë shkolla “Udha e shkronjave” që të mos zbulohet mirë se sa poshtë jemi me mbrojtjen e të drejtave të fëmijës, të prindit, të familjes.
Sa më e madhe shtypja, korrupsioni, sa më e madhe padrejtësia, sa më i madh shkombëtarizimi, dhe vesi, aq më i fryrë është sistemi arsimor privat. Një sistem antikombëtar qartësisht fryn arsimin privat dhe kjo ka ndodhur. Shumica e kastës që menaxhon paranë e popullit është e ligë ndaj popullit dhe synon të fshehë fëmijët e vet në sistemin arsimor privat duke dëmtuar rëndë sistemin publik. Fëmijët në privat marrin “edukim klasor” dhe bashkë me këtë edukim dhe frikën se mos ngelen të varfër. Për shkak të kushteve ata nuk e njohin empatinë. Shtypja nga prindërit përballet kryesisht individualisht dhe jo në kolektiv. Kjo jep mesazhin “mos më shtyp mua, por me të tjerët bëj çfarë të duash”. Jo pak prindër i gjejnë anën mësuesit, drejtorit për ta kërcënuar për ndonjë veprim që atyre nuk u pëlqen. Pra prindi nuk kërkon të bëjë një të mirë publike me reagimin e vet, nuk do të bëhet shembull, por thjesht të zgjidh hallin e vet.
PADREJTËSIA
Megjithëse në shkollat shtetërore masive është bërë e udhës “padrejtësia” e diferencimit të klasave, ku në klasat e mira me mësues të mirë hyjnë fëmijët e njerëzve me pushtet profesional, politik, juridik, mediatik, pra të gjithë ata njerëz që kanë mundësi t’u shërbejnë mësuesve në ndonjë mënyrë e për ndonjë hall. Pra ata ofrojnë pushtetin e tyre dhe bëhen bashkë me drejtorinë e shkollës që t’ua hedhin të tjerëve që nuk kanë njohje dhe mundësi. Të tjerët duke mos patur me vete as drejtorinë dhe prindërit e fuqishëm fillojnë ta qepin gojën sepse e kuptojnë që drejtoria e shkollës është qëllimisht përçarëse e prindërve.
Megjithëse ne ua kemi sqaruar me artikuj këtë padrejtësi, dhe nuk ka qenë aspak ndonjë interes yni privat, prindërit, mësuesit, qytetarët, mediat bëjnë sikur nuk shohin. Edhe prindi gazetar përgjithësisht sillet si profesionist me pushtet. Edhe ai prezantohet në drejtori “Jam gazetar” (jo jam qytetar) dhe me këtë i jep sinjal drejtorisë që në të ardhmen mund t’i duhet drejtorisë. Atëherë drejtoria ia hap derën prindit gazetar në “klasën e privilegjuar” ku ajo ka ndërtuar një sistem privilegji të pamerituar, një shkollë private brenda shkollës shtetërore. Duhet ditur që këto klasa në shtet janë shpesh më të mira sesa çdo klasë që mund të formojë një shkollë private.
Përfytyroni që biznesmenët, mjekët, politikanët, gazetarët, gjykatësit të kenë një klasë të vetme të tyren në shkoll shtetërore, ku marrin mësuesit e mirë të shkollës të japin aty mësim dhe jo diku tjetër dhe që marrin raporte më të detajuara dhe mbështetje më të madhe. Mësuesi deklaron pakënaqësi me shkollën ku punon, por kur pyesin “a ka klasë të mirë në shkollën tuaj”, ai thotë “Po, e kemi një klasë të mirë, aty ke qejf të bësh mësim”. Si ka mundësi? Vetë drejtoria e ka bërë këtë punë.
DEMBELIZMI
Fiktiviteti i notave zbut dhe fsheh sfidën. Fshehja e sfidës çaktivizon monitorimin e prindit. Shkolla cakton një shpejtësi “fiktive” që nuk përputhet me ritmin e jetës dhe fëmijët masivisht dështojnë të bëhen realisht punëtorë, me vullnet, të përfshirë, të gatshëm për sfida.
LAKMI, EGOIZËM, LIGËSI, VRAZHDËSI, HIPOKRIZI
Ndryshe nga çfarë dikton mosha, kolektiviteti, dhe nevojat e shoqërisë njerëzore, nxënësit dalin nga shkolla të dobët dhe me reklamën më të shëmtuar për shoqërinë shqiptare, që sipas tyre ka nevojë për njërëz egoistë, me lakmi të shfrenuar, diabolikë, dinakë, gënjeshtarë etj. Nëse shkolla që ka bërë ka qenë pa integritet, ajo i ka dhënë modelin se si do të jetë çdo institucion privat e shtetëror.
SMIRA
Nëse mësuesit nuk urojnë nxënësit për arritjet e tyre, nëse drejtoritë nuk urojnë mësuesit për arritjet e tyre, nëse zyrat arsyimore nuk promovojnë më të mirët, nëse ministria nuk urojnë sinqerisht arritjet e shkollave e të mësuesve, atëherë masivisht prindërit nuk urojnë njëri-tjetrin dhe fëmijët fillojnë e edukojnë smirën. Kjo “smirë” u leverdis shkollave private për të fshehur mungesën e rezultateve të larta, për të gënjyer në provime dhe në nota, për të barazuar etj. Smira më e madhe u takon politikanëve të kartelit politik që kanë smirë popullin e tyre dhe duan t’i bëjnë gropën dhe ia kanë bërë. Këto dëme që përshkruajmë si dëmtim i karakterit janë qartësisht fryt i tyre.
APATIA QYTETARE
Protesta kombëtare qartësisht duket se mbahet me “ujë hidrovori”, pra “e stimuluar” dhe mungon lëngu i vërtetë jetësor që e jep arsyetimi i shtresave të kultuara dhe kemi një “apati totale të inteligjencës”. Pikërisht ish-nxënësit e shkollave private që duhet të ishin më të fuqishëm dhe më të angazhuar, i gjen të aktivizohen në profesionet e bizneset e tyre, por nuk i gjen të aktivizuar në çështje me rëndësi për qytetet dhe vetë Shqipërinë. Janë kaq pak të aktivizuar hapur në politikën e vendit. Duke qenë shpesh prindërit e tyre më afër politikës dhe duke e njohur ligësinë e saj, ata nuk duan më ta bëjnë më të mirë apo ta ndryshojnë, ndaj janë tërhequr dhe thonë “të bëhet ç’të bëhet me vendin tonë Shqipërinë”. Në këtë mënyrë më të varfërit u dëmtuan në arsimin që morën, prej kalimit të përqëndrimit tek “paraja” dhe sistemi privat. Shoqëria kështu nuk ka mbështetje për riparim as tek të varfërit as tek të pasurit. Të pasurit dëmtuan arsimin e më të varfërve dhe vetë nuk bëjnë gjë të mirë, sepse kanë edukuar tek fëmijët shtypjen, frikën, që justifikohet me sigurimin “e stabilitetit financiar” që kanë siguruar prindërit e tyre.
Vlen ajo që thotë Naim Frashëri tek “Histori e Skënderbeut”
“Si të rriten nënë zgjedhë, / nuk bënenë të lirë,
ndaj s’e hedhin dot ledhë, / pa mejtoni sot mirë”.
Shqiptarët duhet të marrin seriozisht e të kenë frikë atë proces që Sami Frashëri e quan shthurja e kombeve dhe e përshkruan kështu:
“Shthurja është një lumë i rrëmbyer që ecën midis popujve dhe i rrëmben popujt që janë mbrojtur me muret e një morali të mirë dhe me anën e një administrimi të mirë i dërgon nëpër grykëderdhje pranë detit ku ato janë të paracaktuar të mbyten.”

















