Egjipti në ‘marrëveshjen e shekullit’ nuk do të bëjë lëshime mbi Gadishullin e Sinait

Ministri i Punëve të Jashtme i Egjiptit, Sameh Shoukry, ka deklaruar se vendi i tij nuk do të bëjë lëshime në Gadishullin e Sinait në kuadër të “marrëveshjes së shekullit”, planit të mbështetur nga SHBA-të për të arritur një zgjidhje paqësore midis palestinezëve dhe Izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Nuk ka asgjë që mund të dëmtojë sovranitetin e Egjiptit mbi Gadishullin e Sinait”, tha Shoukry në një intervistë për ‘Russia Today’.

I pyetur për një “atdhe alternativ” në Sinai për palestinezët e zhvendosur, kryediplomati egjiptian përsëriti një “refuzim absolut në të gjitha nivelet e shtetit egjiptian”.

“Marrëveshja e shekullit” ende nuk është zbuluar plotësisht, por bazuar në raportimet e mediave ky plan parasheh lëshime të mëdha për Izraelin në statusin e Kudsit dhe po ashtu mbi të drejtën e kthimit të refugjatëve palestinezë në shtëpitë e tyre në Palestinën historike.

Në një konferencë dy-ditore këtë javë në Bahrein mbi planin e paqes të SHBA-ve, Shoukry e hodhi poshtë atë duke e quajtur “vetëm një seminar”.

Zyrtarët e SHBA-ve, siç është paralajmëruar, në konferencën që do të fillojë nesër do të zbulojnë pjesën ekonomike të “marrëveshjes së shekullit”.

Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë kërkoi 50 miliardë dollarë investime për Palestinën dhe shtetet arabe fqinje si pjesë e planit, që bën thirrje për rritjen e projekteve të infrastrukturës midis Rripit të Gazës dhe Bregut Perëndimor, me qëllim të deklaruar për “fuqizimin” e popullit palestinez.

Bisedimet palestineze dhe izraelite dështuan në prill të vitit 2014 pasi Izraeli refuzoi ndalimin e aktiviteteve të ndërtimit të vendbanimeve, si dhe të pranonte një zgjidhje me dy shtete bazuar në kufijtë e para vitit 1967 dhe lirimin e të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne