Egjipti zbulon pranë piramidave të mëdha një vend ku balsamoseshin mumjet

Arkeologët egjiptianë zbuluan të shtunën detajet e një vendi në të cilin dikur në kohët e lashta kryheshin proceset e balsamimit të mumjeve. Vendi i zbuluar ndodhet tridhjetë metra nën tokë, pranë nekropolit të Sakaras në jug të Kajros.

Arkeologët shpresojnë se vendi ku balsamoseshin mumjet do tu sigurojë informacione të reja lidhur me përbërjet kimike të vajrave të përdorura nga egjiptianët e lashtë për mumizimin e të vdekurve.

Vendi i zbuluar i cili është mbi 2.000 vjecar, besohet se daton që nga periudha Saito-Persiane, përafërsisht në vitet 664-404 pes. Fillimisht vendi u zbulua në muajin prill të këtij viti duke përfshirë edhe 35 mumje sëbashku me arkiovolët e tyre prej guri.

“Zbulimi sjell dy gjëra të reja shumë të rëndësishme, e para është lloji i vajrave të përdorura (për mumifikim) dhe përbërja e tyre kimike. Kështu që ne do të mund të njohim llojet e sakta të vajrave të përdorura”, tha Ramadan Badry Hussein, kreu i misionit egjiptiano-gjerman që zbuloi vendin.

Pas gërmimeve të bëra brenda dhomave ku pregatiteshin varrimet, u gjetën qindra statuja të vogla prej guri, qypa dhe enë të përdorura në procesin e mumifikimit.

Sendi më i rëndësishëm i gjetur ishte një maskë e argjendtë e shkëlqyeshme me përbërës floriri, zbulimi i dytë i këtij lloji i bërë ndonjëherë, tha Ministri për Antikitetin Khaled al-Anani.

“Të pasurit e një maske argjendi të stolisur me ar, është nje zbulim i rrallë pasi kemi vetëm dy lloje të tilla,” tha al-Anani për Reuters.

Arkeologët deri më tani kanë gërmuar një numër të madh vendesh të vjetra ku përfshihet edhe një varr 4,400 vjeçar në zonën e Gizës dhe një varrezë e lashtë në Minya, në jug të Kajros.

Egjipti shpreson që këto zbulime do ta rregullojnë imazhin e vendit dhe do të ringjallin interesin midis udhëtarëve të cilet dikur dyndeshin në tempujt dhe piramidat e faraonëve, por që prej shume kohësh i kanë shmangur vizitat që kur ndodhën trazirat politike të vitit 2011./yenisafak/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne