Shqiperia

Ekskluzive/ Emaili i Ramës për Krichbaum. Si po tenton KM, përmes një linje biznesi, të qetësojë deputetët e partisë së Merkelit

1-Konflikiti Rama-Krichbaum vazhdon pas Berlinit 

Përplasja, tanimë personale, mes kryeministrit Rama dhe deputetit gjerman Gunther Krichbaum, kryetar i Komisionit për Europën në Bundestag, është bërë e njohur për publikun shqiptar. Ajo arriti kulmin në përfundim të dëgjesës që ky Komision pati me z. Rama në pasdreken e 24 prillit kur z. Krichbaum i citoi KM lidhjet që mediat online lexo.al e tiranapost.al kishin, përkatësisht me Kryeministrinë dhe me bashkinë e Tiranës. Në këtë moment Rama, i cili gjatë dëgjesës ishte treguar i përmbajtur, shpërtheu duke bërtitur ‘Lies, Lies…’ (gënjeshtra, gënjeshtra), duke u çuar në këmbë me gjeste agresive. Kjo situatë, e pazakontë për një Komision parlamentar gjerman, si dhe në mospërputhje me idenë e tyre të një Kryeministri normal, shënoi edhe mbylljen e menjëhershme të dëgjesës nga kryesuesi i mbledhjes nga meraku i incidenteve të tjera.

Pas kthimit në Shqipëri, Rama vazhdoi ta përmendë në konferenca shtypi e studio televizive  deputetin Krichbaum si të parëndësishëm (“një nga qindra deputetët e Bundestagut”), dhe si të indoktrinuar nga opozita (“përsërit gjermanisht  baltën e PD-së në shqip”). Në një linjë me shefin, dhe me krahasime prej ekzorcisti, Taulant  Balla, dora e djathtë e Ramës në ‘marrdhëniet gjermane’, pretendoi se Basha  i kishin futur shejtanin në bark viktimës Krichbaum.

2-Prapaskena  e demarshit të Berlinit dhe emaili privat i Ramës për  Krichbaumin 

Por, ajo çka  publiku nuk ka mësuar janë tentativat e Edi Ramës për të gjetur një pajtim, apo të paktën një ulje gjakrash me deputetin gjerman. Raportet e ambasadës gjermane në Tiranë, të premten më 20 prill mbi fushatën denigruese anti-Krichbaum nga mediat pranë qeverisë  e alarmuan Berlinin zyrtar për dy arsye: së pari sulmi  ndaj një personaliteti politik të respektuar, që po shahej e ofendohej bashkë me familjenishte i patolerueshëm.

Së dyti një vendim pozitiv për negociatat e Shqipërisë në Bundestag ishte jo i lehtë e aspak popullor për shkak të imazhit të vendit e klimës politike në të gjitha grupet parlamentare, sidomos në kryesorin, atë të CDU/CSU; në këto rrethana armiqësimi i Krichbaumit, figurë kyçe në ketë proces për shkak të postit si kryetar i Komisionit përgjegjës për këtë votim e komplikonte seriozisht situatën. Po atë ditë, në mbrëmje, duke sfiduar ëeekendin e tyre, zyrtarët nga Ministria e Jashtme dhe Kancelaria Federale (zyra e kancelares  Merkel) kontaktojnë urgjentisht Ambasadën shqiptare për të protestuar ndaj sulmeve mediatike e për të kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të tyre si dhe skuzat me korrigjimet përkatëse.

3- Arsyeja e sulmit mediatik 

Edi Rama, porositësi i fushatës kapet ngushtë. Qëllimi i tij nuk ishte ndonjë hakmarrje e vonuar ndaj Krichbaumit, edhe pse në optikën e tij ky gjerman ja kishte berë hak. Në Rogner, më 24 nëntor 2016 kishte folur para kamerave duke denoncuar, si i pari politikan europian i këtij rangu, kanabizimin dhe kriminelët në poste shtetërore. Po atë ditë, dy orë më parë në zyrën e Ramës, Krichbaum i kishte thënë se nuk mund të pranonte që një kryeministër që e donte vendin e tij në BE, nuk gjente forcën për të shkarkuar Saimir Tahirin nga ministër i Brendshëm dhe Elvis Roshin nga bashkia e Kavajës. Në atë moment Rama shpërtheu: bërtiti “shpifje”, rrëmbeu një dosje dhe e  përplasi disa herë me forcë mbi tavolinë.  Ashtu si dhe në Berlin, Krichbaum i dha fund takimit në atë çast, doli nga kryeminstria dhe u drejtua bashkë me delegacionin e Bundestagut për në Rogner. Tahiri u shkarkua pas dy muajsh; Roshi një muaj pas Tahirit.

Krichbaum do të vizitonte Shqipërinë me 8 maj 2018, në krye të një delegacioni parlamentar dhe do të mbante një konferencë shtypi po në Rogner. Fushata mediatike e koordinuar nga Endri Fuga synonte paraprakisht  diskreditimin e tij dhe uljen e efektit të kritikave të pritshme. Por demarshi nga Berlini e detyroi Ramën të bëjë kthesë. Fillimisht ai i dërgon Krichabumit një email personal me këtë përmbajtje:

I nderuar Z.Krischbaum!
Po ju bezdis  për shkak të disa shqetësimeve që më vijnë nga  Berlini për një mbulim negativ mediatik ndaj jush në Shqipëri! Me sa duket ka shumë për të folur dhe për të sqaruar mes nesh dhe nuk është një gjë që mund të bëhet nëpërmjet telefonit. Kjo është arsyeja pse unë do të vlerësoja shumë nëse bashkoheni në darkën që kemi organizuar nesër dhe në rast të kundërt, do t’ju takoj në mbledhjen e Komisionit. Por, për një gjë ju siguroj: nuk kam të bëjë aspak me kazanin! Dhe nëse mund t’ju ndihmojë sadopak, ju lutemi gjeni bashkangjitur deklaratën time publike prej disa ditësh më pare, pasi miku juaj, Lulzim Basha, më sulmoi në mënyrë të  pabazuar (si zakonisht) për të gjitha këto marrëzi! Duke pritur, për të folur ballë për ballë, ju lutem pranoni përshëndetjen time.

Edi Rama

Ky email, i cili reflektonte edhe përgjigjen që Rama i ktheu Bashës përmes Facebookut, u konsiderua i pasinqertë  e joserioze nga grupi parlamentar i CDU dhe Krichbaum. Si pasojë u mor vendimi që, në shkelje të protokollit gjerman për trajtesën e kryeministrave të huaj,  Edi Ramës të mos i kthehej përgjigje.

4-Gjermanët pedantë 

Deputetët e Bundestagut kishin marrë raporte nga ambasada gjermane në Tiranë dhe nga burime të tjera se mediat që sulmonin Krichbaumin ishin të lidhura me pushtetin e Partisë Socialiste. Por, Rama i surprizoi ata gjatë dëgjesës teksa mohoi, kategorikisht, çdo lidhje me këto media. Nënkryetarja e Grupit CDU, Katia Leikert ja tha Ramës aty për aty se ata kishin dyshime për deklarimin e tij se ai nuk ishte i përzier me këtë fushatë. Gjermanët, pedantë si përherë, zbatuan parimin që fjala e një shefi qeverie të hidhet poshtë vetëm me prova katërcipërisht të pakundërshtueshme. Berlini urdhëroi një hulumtim të dytë e më të plotë për lidhjet e këtyreve mediave. Ky hulumtim i dytë prodhoi një dosje të plotë me dokumenta që provojnë lidhjet e mediave në fjalë me pushtetin duke filluar nga rroga që merr në Kryeministri kryeredaktori i lexo.al. Rama gaboi duke mohuar lidhjen pasi mundësoi që, përmes një procedure gjermane, të vulosej ai si gënjeshtar.

5-Tentativa me linjën e biznesit

Pas këtij dështimi të pare, Edi Rama angazhon Friedbert Pflüger, ish deputet i CDU në fund të viteve ’90, tani në biznesin e konsulencës përmes firmës së tij Pflüger International GmbH, i cili ka marrë përsipër të zgjidhë problemet e një kompanie gjermane me një kontratë problematike me Portin Durrës të firmosur pak ditë para betimit të qeverisë Rama nga drejtori Eduart Ndreu. Pflueger tenton me takime, telefonata e emaile me ish kolegët parlamentarë, por pa sukses. Dëgjesa e Ramës para Komisionit me incidentin në fund të saj vulos edhe një gjest tjetër të deputetëve kristiandemokratë: refuzimin e plotë të darkës kryeministrore. Arsye shtesë për bojkotin në China Club ishte zgjedhja  e gabuar për shkak të luksit të ekzagjeruar për një vend të varfër si dhe të simbolizmit diplomatik të papërshtatshêm.

Në vijim të fiaskos së plotë Edi Rama i kthehet Florian Hahn (CSU), një deputeti aktual me interesa biznesi në Shqipëri duke i organizuar një vizitë të shpejtë në Tiranë  në ditët e ardhshme. Hahn po lobon aktualisht pranë qeverisë Rama për një koncesion mbi kthimin e shisheve të blera që do e rëndonte padrejtësisht konsumatorin shqiptar e do të rriste artificialisht çmimet. Procedura e koncesionit nuk ka avancuar pasi ka sherr me oligarkëve pranë Ramës se kush do të jetë partneri lokal i kompanisë koncesionare gjermane. Por, Florian Hahn në dëgjesën e Ramës në Bundestag, hiq adresimin miqësor “dear Edi”, qëndroi në linjën e Grupit duke dënuar sulmet  mediatike kundër kryetarit të Komisionit. Ditën që F. Hahn do të mbërrinte në Tiranë ambasada gjermane njofton anullimin e vizitës për shkak të trafikut ajror. Burime të tjera gjermane sinjalizojnë një vendim politik nga lart.

Sidoqoftë, deklaratat e Krichbaumit për çeljen e negociatave duket se nuk janë personale. Raporteri për Shqipërinë, deputeti Thorsten Frei (CDU) konfirmoi po ato qëndrime në intervistën e para disa ditëve në gazetën Panorama. Krichbaum, Frei e Ëadephul (shef i grupit të punës për Ballkanin Perëndimor në grupin CDU), mbeten tre personat kyç që do të influencojnë vendimmarrjen e deputetëve kristandemokratë e me gjasë të tërë Bundestagut. Gjithmonë në rastin që Merkel bindet se Rama i plotësoi parakushtet e kushtet që i kujtoi Edi Ramës se fundmi në  Berlin. Nëse dorëheqja e Tahirit, pasi është siguruar shmangia e paraburgimit, mund të quhet kusht i përmbushur, kjo mbetet për t’u parë. Javën e shkuar në Tiranë  zëvendësministri gjerman Michael Roth (socialdemokrat) nuk dha asnjë premtim.

Ka edhe skeptikë të tjerë

Me Holandën, një tjetër shtet skeptik ku parlamenti, si edhe në Gjermani, ka veto në çështjet e zgjerimit të BE-së, Rama e Ruçi u sollën më keq se elefanti në farfurina, duke ja komplikuar punën qeverisë së Hagës e cila është edhe më pak pozitive se ajo e Berlinit për Shqipërinë.
Nga Franca, nisur nga njoftimet zyrtare, Rama nuk ka marrë ndonjë premtim pozitiv nga Presidenti Macron; por as nuk ka lajm për gafa e autogola të Ramës si në rastet e Gjermanisë e Hollandës. Franca është “kafshatë” më e fortë se dy shtetet e tjera pasi, përveç rezervave për pesë prioritetet e papërmbushira  e për krimin e organizuar ka problemin e emigracionit të paligjshëm shqiptar që arriti kulmin në 2017, dhe që u përmend nga ambasadorja franceze para një jave në Shkodër si arsye qendrore e hezitimit të Parisit.