Shqiperia

Ekskluzive/Vetting edhe për komunitetet fetare. Përjashtohet vetëm komuniteti katolik

Një grup deputetësh të Parlamentit Shqiptar pritet të paraqesin së shpejti një propozim që synon të shtrijë veprimin e procesit të vettingut edhe në radhët e besimeve fetare. Të para zakonisht larg situatave politike të ditës dhe të konsideruara si institucionet më të besueshme në vend, besimet fetare dhe kleri i “kanë shpëtuar” qoftë akuzave ashtu edhe vëmendjes. Mesa duket koha ka ardhur dhe dikush është kujtuar që filtri të veprojë edhe në këtë drejtim.

Sipas draft-propozimit për të cilin i është kërkuar mendim edhe Komitetit Shtetëror të Kulteve, vetting në këtë rast nuk do të ushtrohet mbi individët që përfaqësojnë klerin në vetvete, por ndaj strukturave. Kjo për shkak të karakterit specific të strukturimit të tyre, mënyrës si ushtrojnë aktivitetin dhe sidomos për faktin se në përgjithësi komunitetet dallojnë në çështjet financiare vetëm kur vjen puna në investimet për objekte të kultit apo sociale.

Mirëpo siç vërejnë propozuesit që u përkasin të dyja kampeve politike, veprimtaria e besimeve fetare rregullohet me Kushtetutë dhe me ligje të posaçme ku hyjnë edhe çështjet financiare dhe ato të kontrollit të ekstremizimit, financimeve nga jashtë etj. Në këtë kuadër, pas konsultimeve edhe me Komitetin dhe një diskutimi bërë me përfaqësues të shoqërisë civile është identifikuar edhe baza ligjore që I lejon autoriteteve shtetërore që të ushtrojnë vetimin në këtë rast.

Konkretisht, sipas materialit që po qarkullon dorazi mes deputetëve, përvec dispozitave të reja kushtetuese, si dispozita të mjaftueshme për kontroll janë:

Ligji nr. 10140 datë 15.05.2009 “Për financimin nga buxheti i shtetit të bashkësive fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, neni 1 pika 1, neni 5, pika 1, neni 8, neni 9

Dhe më konkretisht sipas komuniteteve:

Për Komunitetin Mysliman

Ligji nr.10 056, datë 22.1.2009

“Për ratifikimin e “Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”, neni 1, neni 3, pika f, neni 7, pika 4, neni 15 pika 5,

Për KOASH

Ligji nr.10 057, datë 22.1.2009

“Për ratifikimin e “Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”, neni 1, neni 4, pika 1, neni 12 pika 2, neni 15 pika 2, germa a, neni 15 pika 5

Për Vëllazërinë Ungjillore të Shqipërisë

Ligji nr. 10394 dt. 10.032011 “Për ratifikimin e “marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe bashkësisë fetare “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”, neni 13, 14, neni 10 pika 1.

Po kështu në konsideratë është edhe vendimi nr. 737, datë 13.12.2017 “Për ngritjen e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (QKEDH)”, ndërkohë që përjashtohet komuniteti katolik, pasi marrëveshja e shtetit shqiptar në këtë rast dhe ligji përkatës rregullon marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë, pra Vatikanin që ka autoritetin për të ushtruar kontrollin.

Procesi ngjan të jetë unik në llojin e vet në të gjithë Europën dhe duket se pastrimi i asaj që la tranazicioni po dikton një ndërhyrje shumë të thellë. Sipas burimeve për redaksinë e “Të Kripura” bëhet e ditur se komunitetet janë njoftuar dhe thuhet se dy prej tyre kanë paraqitur kundërshti serioze. Një prej pikave që thuhet se është shtruar në tryezë është jo vetëm mungesa e bazës ligjore, por edhe e besueshmërisë që është dëmtuar rëndë me Censusin e vitit 2011.

OPINIONE