Ekspertët për naftën pa akcizë për fermerët: Nuk zgjidh problemin e konkurrueshmërisë për produktet bujqësore, do krijohen abuzime

Në 2021 pritet të nisë zbatimin skema për shpërndarjen e naftës pa akcizë. Eksperti i bujqësisë, Ervin Resuli vlerësoi pozitivisht nismën, pasi ul kostot e shpenzimeve për naftë deri në 60 lekë/litër.

Nga ana tjetër masa pritet të rrisë numrin e NIPTE-ve të fermerëve deri në 100 mijë (nga 48 mijë që janë aktualisht të regjistruar në tatime), por shtimi i kërkesës për shpërndarjen e naftës pa akcizë mund të krijojë abuzime.

“Çdo masë mbështetëse që merret për naftën, energjinë elektrike edhe për inputet bujqësore janë pozitive për fermerin. Nisma e prezantuar është pozitive, por se sa do të realizohet mbetet për t’u parë. Skema të tilla gjithashtu krijojnë hapësira për abuzime dhe rezultoi e tillë në vitin 2005, kur u zbatua për herë të parë.

Në censusin e realizuar në vitin 2011 për bujqësinë, në të gjithë vendin rezultuan të ishin rreth 350 mijë fermerë, ku shumë prej tyre, që u përfshinë si fermerë ishin edhe ata me 1 dynym tokë të përfituar pas ndarjes nga familja me ligjin nr.7501.

Nga të dhënat e terrenit mendoj se fermerë aktive që mbajnë ekonominë e vendit janë rreth 150 mijë, por jo të gjithë janë të pajisur me NIPT.

Në tatime janë të deklaruar 47,000 fermerë dhe 1,000 persona fizikë. Për të përfituar naftë pa akzicë pritet të ketë rritje të NIPTE-ve të fermerëve deri në 100,000. Por a do të jetë e aftë Ministria e Bujqësisë të përballojë këtë fluks kërkesash pa pasur abuzime”.

Resuli thekson se skema e re nuk zgjidh problemin e fermerit shqiptar, mungesën e konkurrueshmërisë në produkte krahasuar me vendet e rajonit. Eksperti i bujqësisë rekomandon zbatimin e skemave të njëjta që zbatohen në vendet e rajonit dhe vendosjen e Shengenit Ballkanik për produktet bujqësore.

“Një fermë me 60 krerë lopë në Kosovë, nga skema e subvencionimit përfiton 80,000 euro. Në Shqipëri e njëjta fermë përfiton subvencionim deri në 500,000 lekë.

Me heqjen e akcizës të naftës, mbështetja do të arrijë deri në 10,000 euro. Me këtë mbështetje, si mundet fermeri shqiptar të konkurrojë atë të Kosovës. Në Malin e Zi janë gjithsej 11,888 ferma dhe shteti jep 61 mln euro nga buxheti në mbështetje të bujqësisë.

Në Kosovë buxheti për bujqësinë ishte 51 mln euro dhe u rrit edhe me 26 mln euro në pandemi”.

Skema parashikon shpërndarje të naftës pa akcizë, taksë karboni dhe taksën e ndikimit në mjedis. Resuli shprehet se nga heqja e 3 taksave, fermeri do të përfitojë naftë me çmim deri 100 lekë/litër.

“Nafta parashikohet të zhvishet nga tre taksa, si taksa e karbonit, akciza dhe ndikimit në mjedis dhe sipas llogaritjeve nafta për fermerin do të jetë me çmim 90 lekë deri në 100 lekë/litër. Në treg 1 litër naftë shitet me çmim 157 lekë-160 lekë/litër.

Kostoja nga heqja e 3 taksave llogaritet të jetë 57 lekë deri 60 lekë/litër. Ndërkohë sot jahtet furnizohen me naftë me çmimin 50 lekë/litër, pasi janë të zhveshura nga 12 taksat që kanë hidrokarburet. Do të duhej që edhe për fermerin të zbatohej e njëjta nismë.”

Kryeministri Edi Rama deklaroi dy ditë më parë se shpërndarja e naftës do të bëhet për fermerin e regjistruar me NIPT, në bazë të sipërfaqes të deklaruar.

Nëpërmjet platforme online, fermeri i pajisur me NIPT duhet të bëjë deklarimin e sipërfaqes së tokës, për të kalkuluar naftën që i nevojitet. Sipas Ramës në total nga skema pritet të përfitojnë 70 mijë fermerë. /Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne