Shqiperia

Ekspertja e NATO-s: Elitat politike të lidhura me krimin e organizuar, ja kush janë mediat antiperëndimore shqiptare (me emra)

Një raport mbi Ballkanin Perëndimor dhe median në këtë rajon, realizuar nga një eskperte britanike e cila punon për NATO-n, nxjerr me emra mediat shqiptare të cilat kanë shpërndarë lajme dhe informacione anti-NATO dhe antiperëndimore.

Studimi “Disinformimi anti-NATO në Ballkanin Perëndimor”, me autore eksperten britanike, Olivia Griffiths, e cila bashkëpunon me Qendrën e Komunikimit Strategjik të NATO-s, i financuar nga “Konrad Adenauer Stiftung”, merr në analizë mediat e Ballkanit Perëndimor.

Sipas këtij raporti, elitat politike shqiptare janë të lidhura me krimin e organizuar dhe mbajnë pushtetin përmes lidhjes me biznesin, krimit të organizuar dhe medias, raporton newsbomb.al.

Elitat politike dhe partitë politike janë të lidhura në mënyrë të pandashme me një numër të madh të bizneseve, të huaja dhe vendase, dhe me organizata kriminale. BTI 2018 për Shqipërinë i lidh politikanët e profilit të lartë me kriminelët e organizatave kriminale, duke deklaruar se këto lidhje paraqesin forma të ndryshme si: ndikimin e bizneseve në vendimet politike, kontrollin e pushtetit përmes biznesit, dhe një shpërndarje të përgjithshme të fondeve publike përmes miqve të partisë, rrjeteve klienteliste dhe kontakteve personale. Mediat shfaqin këto lidhje midis politikës, biznesit dhe interesat kriminale në mënyrë të përditshme.

Dobësia e Shqipërisë ndaj krimit të organizuar dhe interesave private është rritur për shkak të zhvillimit të dobët ekonomik, korrupsionit endemik, mosbesimit ndaj gjyqësorit joefektiv dhe institucioneve demokratike. Këto dobësi, jo vetëm që kanë dëmtuar aspiratat e Shqipërisë për në BE dhe kanë rrezikuar rolin e saj si një kontribuues në sigurinë rajonale dhe globale, por gjithashtu kanë ekspozuar vendin në një numër kërcënimesh nga desinformimi”, thuhet në raport.

Por raporti jep edhe emra mediash dhe individësh të cilët qartazi kanë një retorikë antiperëndimore dhe Anti-NATO, çka për eksperten britanike është mjaft shqetësuese.

“Ndërsa kanalet tradicionale të medias mund të mos bëjnë me dashje përhapjen e keqinformimit, dezinformimin, ata mund të publikojnë pa ndonjë qëllim informacionin që nuk është kontrolluar, që standardizohet ose filtrohet për të rritur shifrat, ose mund të japin hapësira për “ekspertët” e vetëshpallur dhe teoricienët e konspiracionit që përhapin lajme anti-perëndimore. Dobësitë sistematike në peizazhin mediatik mund t’i bëjnë vendet e cenueshme ndaj dezinformimit anti-NATO, edhe nëse qeveria dhe pozita publike ndaj NATO-s janë pozitive.

Aktorët kryesorë dhe mediat që shpërndajnë informacion kundër NATO-s: gazetadita.al, faxweb.al, gazetaimpakt.com, sot.com.al, oranews.al dhe lapsi.al.

‘Ekspertët’, duke përfshirë akademikë, gazetarë dhe ekspertë të vetëshpallur, pikëpamjet e të cilëve mund të përdoren për propagandën anti-perëndimore, të tillë si historiani Olsi Jazexhi, i cili ndan pikëpamje antiperëndimore në Shqipëri.

Kështu, folësit anti-NATO apo anti-perëndimorë kanë potencial për të fituar vëmëndje mes kësaj audience. Për shembull, kleriku radikal, Imam Armand Aliu, ka shprehur pikëpamjet anti-perëndimore dhe anti-NATO në media të mëdha, duke përfshirë televizionin News 24 dhe Ora News. Pikëpamjet e Aliut çuan në marrjen në pyetje nga ana e policisë antiterror dhe ai u akuzua më pas për një fjalim që nxit urrejtjen dhe nxit rrëzimin e rendit publik”, thuhet më tej në raport./newsbomb

OPINIONE