Bota

Ekstremi i djathtë dhe i majtë shënojnë rritje në Gjermani

Në Gjermani është rritur në mënyrë të konsiderueshme numri i djathtistëve dhe majtistëve ekstremë me prirje për dhunë, ka treguar një raport i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV).

Sipas raportit, shifra prej 22.150 i djathtistëve ekstremë në vitin 2014 dhe 23.850 në vitin 2015, është rritur në 24.350 në vitin 2016.

Në raport theksohet se 6.500 prej djathtistëve ekstremë janë anëtarë të partive me emrat Partia Nacional Demokrate e Gjermanisë (NDP), Dier Rechte dhe Der 3. Weg, teksa 3.500 të tjerë janë pjesëtarë të organizatave të tjera të ekstremit të djathtë.

Ndërkaq, sipas raportit, numri i personave që marrin pjesë në grupet që janë cilësuar si “Neonaziste” është 5.800, kurse i “djathtistëve që vijnë nga subkultura” dhe që nuk janë pjesë e asnjë grupi është 8.500.

– Është rritur edhe numri i djathtistëve eksremë me prirje për dhunë

Raporti i BfV-së ka treguar se 10.500 persona në vitin 2014 dhe 11.800 në vitin 2015 kanë qenë të prirur për akte dhune, kurse kjo shifër është rritur në 12.100 vitin e kaluar.

Siç thuhet, krimet e dhunës të kryera nga djathtistët ekstremë janë rritur në të gjitha shtetet e Gjermanisë. “Është vërejtur se në Nordrhein-Westfalen janë kryer 381 akte dhune, në shtetin Brandenburg 165, në Berlin 150 dhe në Saksoni 145. Rritje posaçërisht është vërejtur në krimet si vrasje, plagosje dhe vënie zjarri të kryera nga ky grup”, thuhet në raport.

– Mund të ketë sulm ndaj oponentëve politikë apo përfaqësuesve shtetërorë

Raporti më tej tregon se shënjestër e djathtistëve ekstremë kanë qenë veçanërisht qendrat e refugjatëve, në të cilat në vitin 2015, sipas raportit, janë kryer 894 sulme, kurse vitin e kaluar 907.

“Në disa rajone të Gjermanisë janë formuar grupe djathtiste ekstreme që synojnë të përdorin dhunë ndaj të huajve, oponentëve politikë apo përfaqësuesve shtetërore”, qëndron në raport, në të cilin thuhet se subjektet djathtiste ekstreme si “Old Society” dhe “Gruppe Freital” janë identifikuar si grupe që mund të realizojnë akte dhune me përmasa terrori ose plane konkrete në këtë drejtim.

– Rritje edhe në ekstremin e majtë

Nga ana tjetër, rritje serioze është vërejtur edhe në numrin e majtistëve ekstremë në vend vitin e kaluar. Siç theksohet, shifra 28 mijë e majtistëve ekstremë në vitin 2014 është zvogëluar në 27.400 në vitin 2015, por ka shënuar sërish rritje në vitin 2016, për të shkuar në 29.400.

Sipas raportit, numri i majtistëve ekstremë me prirje për dhunë në vitin 2014 ka qenë 7.600, në vitin 2015 ka shkuar në 7.700, kurse vitin e kaluar kjo shifër ka arritur në 8.500. Theksohet se rritje e akteve të dhunës të majtistëve ekstremë është shënuar posaçërisht ndaj oponentëve politikë dhe policisë./ AA

OPINIONE