Ekzekutimi i Majollarit, policia shoqëron dhjetra persona, edhe familjarë të viktimave të babait të tij

Një 28-vjeçar u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në një atentat në zonën e Kinostudios, në Tiranë. Viktima është Mario Majollari, i cili kishte rreth 5 muaj që ishte kthyer nga Suedia, ku i ishte refuzuar kërkesa për azil.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:25, në një rrugicë që lidhet me rrugën “Aleksandër Moisiu”, fare pranë pallatit ku banonte i riu. Sipas Policisë, viktima ka qenë duke ecur në këmbë, në drejtim të hyrjes së pallatit, kur është qëlluar 4 herë me armë zjarri. Policia tha se ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pasi nga këqyrja paraprake në vendin e ngjarjes ka rezultuar se është qëlluar në kokë dhe në trup.

Ndërsa atentatorët, duke përfituar nga errësira në rrugicën ku kryen krimin, janë larguar me shpejtësi pa u parë nga banorët e zonës. Burimet flasin se nga mbrëmja e djeshme e deri sot janë shoqëruar në Polici rreth 15 persona për t’u marrë në pyetje, si dëshmitarë në vendngjarje, por edhe familjarë të personave që kishte vrarë babai i viktimës së djeshme.

Babai i Mario Majollarit, ndodhet në burg, i dënuar përjetë për vrasje të dyfishtë, të kryer në bashkëpunim 18 vite më parë. Avni Majollari u arrestua 14 vite pas ngjarjes dhe në banesë iu gjet arsenal armësh gjatë një operacioni që realizoi Policia e Tiranës në vitin 2014. Majollari është dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim. “Në vitin 2000 ka vrarë pas një konflikti me armë zjarri shtetasin Armando Nelaj (ish-kunati i tij) dhe Ilir Gjuzin, në segmentin rrugor Tiranë – Dajt./ lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne