Shqiperia Sociale

Emigranti shqiptar shpirtmadh: Silleni Kejsin në Francë, do t’i paguaj unë të gjitha

Sinjale të forta shprese vijnë për vogëlushen durrsake Kejsi Prizrendi, pasi disa portale u solidarizuan me thirrjen publike për ndihmë financiare për kurimin e saj. Pasi dhjetra shqiptarë komentuan me dhimbje për rastin aq dramatik, një zotëri shqiptar në Paris, z. Astrit Zeka, ka shkruar dy herë me radhë në komentet e këtij lajmi në Fb: “Silleni në Paris, Francë. Shërbimet e operacionit, ilaçet, çdo shërbim,ia bëjmë falas!”

Duke uruar që mbështetja e z. Zeka të bëhet realitet, Syri.net përcjell mesazhin e tij dhe më poshtë, historinë e balerinës së vogël.

Historia e Kejsit

Kejsi Prizrendi është vogëlushja nëntë vjeçare nga Durrësi që është prekur nga sindroma “Xhonson”, një sëmundje shumë e rrallë, e cila kërkon mjekim shumë të specializuar e të kushtueshëm.

Në klasën e saj të katërt, në shkollën “Kushtrimi i Lirisë”, shokët e shoqet e klasës prej dy javësh presin rikthimin e vogëlushes. Ata kanë mësuar se Kejsi është në spital në Itali.

Mësuesja kujdestare Herona Spathari pohoi se nxënësja e saj ka nevojë për ndihmë pasi kurimi në spitalet italianë është shumë i shtrenjtë.

Me iniciativë të mësuesit të baletit, Arian Plaku, është hapur një numër llogarie dhe një kuti për të dhënë ndihmë vullnetarisht është vendosur në shkollën e vogëlushes. Drejtoresha e shkollës pohoi se çdo ndihmë sado e vogël, i vjen në ndihmë prindërve të Kejsit, të cilët e kanë të pamundur kurimin e vajzës së tyre në spitalet Italianë.

Ndërsa prindërit kishin bërë gjthçka gati, që Kejsi të niste vitin e ri shkollor, vogëlushja u mjekua në pediatrinë e Tiranës për infeksion në bajame. Vajza jo vetëm që nuk u përmirësua por në gjendje shumë të rënduar prindërit e dërguan në datë 11 shtator në Itali. Pas 15 ditësh në Itali, gjendja shëndetësore është e rëndë, ndërsa prindërit kanë apeluar për ndihmë, nga ata që kanë mundësi.

Një numër llogarie është hapur, ndërsa fushata ka nisur edhe në rrjetet sociale.

Të shumtë janë qytetarët durrsakë të cilët i janë bashkuar nismës vullnetare për të dhënë ndihmë për Kejsin e vogël. 9 vjeçarja është duke luftuar me jetën në një prej spitaleve italianë prej datës 9 shtator. Mësuesit kanë bërë me dije ditën e sotme, se mjekët italianë kanë përcaktuar diagnozën e vogëlushes.

Mikrobi i stafilokokut i ka kaluar në gjak nëpërmjet bajameve, dhe sëmundja me të cilën po lufton vogëlushja është vdekjeprurëse.

Mikrobi i ka kaluar gjatë kohës që Kejsi Prizrendi ishte duke u kuruar për infeksion bajamesh në pediatrinë e Tiranës, ndërsa mjekët e vendit tonë i përcaktuan si diagnozë, sindromën “Jonson” e cila prek 1 në 10 000 000, njerëz. Ky mikrob, i ka prekur shumë organe dhe njëkohësisht i ka dëmtuar lëkurën e trupit, në pjesën më të madhe.

Nëna e saj, Albana e cila komunikon me mësuesit e vogëlushes, ka treguar se gjendja e vajzës së saj është shumë kritike. Vajza po lufton me një prej baktereve më të këqij i cili i ka hyrë në gjak.

Ndërsa pritej që vogëlushja të niste klasën e katërt me fëmijët e tjerë në shkollë, prindërit e kanë dërguar me urgjencë për mjekim të specializuar në Itali.

Në mungesë të të ardhurave prindërit e saj kanë bërë apel për ndihmë, nga kushdo që ka mundësi t’i ndihmojë për vajzën e tyre, shërimi i së cilës është i gjatë dhe mjaft i kushtueshëm.K.H./portali DurresLajm

OPINIONE

INTERVISTA