Emiratet e Bashkuara Arabe kërcënojnë me 15 vite burg simpatizantët e Katarit

Emiratet e Bashkuara Arabe shtrënguan të mërkurën shtypjen ndaj shtetit të Katarit, duke kërcënuar këdo që shprehte simpati ndaj tij me deri në 15 vjet burg, dhe duke ndaluar hyrjen e mbajtësve të pasaportës së Katarit ose të vizave rezidente.

Përpjekjet për të zbutur krizën rajonale – të acaruar të hënën kur Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Egjipti dhe të tjerë ndërprenë lidhjet diplomatike me Katarin lidhur me mbështetjen e supozuar për grupet islamike dhe Iranin – nuk treguan shenja të menjëhershme të suksesit.

Ministri i Shtetit për Punë të Jashtme të Emirateve, Anwar Gargash kërcënoi më shumë tension nëse do ishte i nevojshëm dhe tha se Katari duhet të ndërmerrte angazhime serioze për të ndryshuar politikat për financimin e militantëve. Katari e mohon me forcë dhënien e një mbështetjeje të tillë.

Presidenti i SHBA-së Donald Tramp mori anën e tij në konflikt të martën, duke lavdëruar veprimet kundër Katarit, por më vonë foli në telefon me mbretin saudit, Salman dhe theksoi nevojën për unitetin e Gjirit.

Sekretari i tij i mbrojtjes, James Mattis, foli gjithashtu me homologun e tij në Katar për të shprehur përkushtimin ndaj sigurisë së rajonit të Gjirit. Katari strehon 8,000 ushtarakë amerikanë në al Udeid, në bazën më të madhe ajrore të SHBA-së në Lindjen e Mesme, dhe një raketë për sulmet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara mbi grupin militant të Shtetit Islamik.

Emiri i Kuvajtit po kërkon gjithashtu të ndërmjetësojë, duke takuar mbretin saudit të martën.

Sidoqoftë, izolimi i Katarit nga shtetet e fuqishme arabe përparoi.

Gazeta me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Gulf News dhe kanali Al-Arabiya, raportuan për shtypjen e shprehjes së simpatisë me Katarin.

“Do të ndërmerren veprime strikte dhe të forta kundër kujtdo që tregon simpati apo ndonjë formë anësie ndaj Katarit, ose kundër çdo personi që kundërshton pozitën e Emirateve të Bashkuara Arabe, qoftë përmes mediave sociale, apo çfarëdo forme të shkruar, vizuale apo verbale,” ka cituar Gulf News Avokatin e Përgjithshëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Hamad Saif al-Shamsi.

Përveç një dënimi të mundshëm me burg, shkelësit gjithashtu mund të goditen me një gjobë prej së paku 500,000 derhem të Emirateve të Bashkuara Arabe, tha gazeta, duke cituar një deklaratë për median në gjuhën arabe.

Që nga rënia diplomatike, slloganet kundër dhe në mbështetje të Katarit kanë dominuar Twitterin në arabisht, një platformë e përdorur gjerësisht në botën arabe, veçanërisht në Arabinë Saudite.

Gazetat dhe kanalet televizive në rajon janë angazhuar gjithashtu në një luftë fjalësh mbi rolin e Katarit.

Ndërkohë, Etihad Airways, linja ajrore shtetërore e Emirateve, tha se të gjithë udhëtarët që mbanin pasaporta Katari aktualisht ishin të ndaluar të udhëtonin ose të kalonin përmes Emirateve.

Të huajt që banojnë në Katar dhe që posedojnë një vizë qëndrimi të Katarit, gjithashtu nuk do të kualifikohen për vizë pas mbërritjes në Emiratet e Bashkuara Arabe, tha zëdhënësi i Etihad në një email.

“Ky vendim zbatohet për të gjitha linjat ajrore që fluturojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha zëdhënësi në deklaratë.

Ata që kanë thyer lidhjet me Katarin janë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Egjipti, Bahreini, Maldivet, Mauritania dhe qeveria lindore e Libisë. Jordania ka reduktuar përfaqësimin e saj diplomatik dhe ka revokuar liçencën e kanalit televiziv Al-Jazeera me qendër në Doha.

Banorët e zakonshëm të Katarit po furnizohen në supermarkete, duke pasur frikë nga mungesat. Por tregjet financiare janë relativisht të qeta.

Indeksi i aksioneve të Katarit ka qenë përafërsisht i pandryshuar pas rënies me 8.7 për qind gjatë dy ditëve të fundit.

“Tensionet janë ende të larta dhe përpjekjet e ndërmjetësimit nga Këshilli për Bashkëpunimin e Gjirit ende nuk kanë çuar në një zgjidhje konkrete, kështu që investitorët kanë gjasa të mbeten në avantazh”, tha një tregtar me bazë në Dubai.

Katari ka thënë se nuk do të hakmerret kundër masave.

“Ne jemi të gatshëm të ulemi e të flasim,” tha ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman al-Thani për CNN të martën vonë. Ai tha se vendi i tij ishte “duke mbrojtur botën nga terroristët e mundshëm”.

Megjithatë një zyrtar i Katarit tha se“me keqardhje të thellë” përçarja ishte duke e shtyrë Dohën në drejtim të largimit nga Këshilli i Bashkëpunimit Gjirit.

Ndalimet e flotës së Dohës nga përdorimi dhe ankorimi në portet rajonale kërcënojnë të ndalojnë disa nga eksportet e saj dhe të pengojnë eksportet e gazit natyral të lëngshëm.

Tregtarët në tregjet botërore janë të shqetësuar se mos aleatët e Rijadit do të refuzojnë të pranojnë dërgesat e LNG-së nga shteti i Gjirit, eksportuesi më i madh i gazit natyror në botë, dhe se Egjipti madje mund të pengojë cisternat që mbajnë ngarkesat e Katarit nga përdorimi i Kanalit të Suezit, ndërsa drejtohen drejt Evropës dhe më gjerë. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne