Emiri i Katarit: Jeta vazhdon normalisht në vend pavarësisht ‘rrethimit’

Emiri i Katarit tha të premten se jeta në vendin e tij po vazhdonte normalish edhe pasi katër shtetet arabe shkëputën lidhjet diplomatike dhe të udhëtimit me të muajin e kaluar.

“Siç e dini, jeta në Katar vazhdon normalisht,” tha sheiku Tamim bin Hamad al-Thani në një fjalim televiziv.

“Katari po e lufton terrorizmin pa pushim dhe pa kompromis, dhe bashkësia ndërkombëtare e di këtë,” shtoi ai.

Ai foli disa orë pasi Sekretari i Shtetit në SHBA, Rex Tillerson tha se Shtetet e Bashkuara ishin të kënaqura me përpjekjet e Katarit për të zbatuar një marrëveshje që synonte luftimin e financimit të terrorizmit, dhe u kërkoi katër shteteve të heqin “bllokadën e tyre” ndaj vendit.

Emiri tha se katarianët duhet të bëhen më të sigurt në vetvete dhe bëri thirrje që ekonomia të hapet për investime të huaja.

“Ka ardhur koha që ne t’i ruajmë njerëzit nga dallimet politike midis qeverive,” tha ai, duke deklaruar se kombi i ngujuar i Gjirit mbetet i hapur për dialog me katër vendet arabe që e kanë izoluar, por se “çdo zgjidhje duhet të respektojë Sovranitetin dhe vullnetin e çdo shteti”.

Sheiku Tamim bin Hamad Al Thani i bëri këto komente në fjalimin e tij të parë televiziv pasi një mosmarrëveshje diplomatike midis aleatëve të SHBA-së shpërtheu më shumë se një muaj e gjysmë më parë. Ai përshëndeti solidaritetin dhe vendosmërinë që katarianët kanë treguar përballë krizës, dhe tha se kjo do ta bëjë vendin e vogël, i cili do të strehojë Kampionatin Botëror të futbollit në vitin 2022, edhe më elastik.

“Ne jemi të hapur për dialog për të zgjidhur të gjitha çështjet e mbetura, jo vetëm për të mirën e popujve dhe qeverive tona, por edhe për t’i kursyer rajonit tonë përpjekjet e pakuptimta për të shpërndarë arritjet tona”, tha ai. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne