Emiri i Katarit vizitë të papritur në Iran

Në një vizitë të papritur në Teheran, emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani u takua me presidentin iranian Hassan Rouhani.

Al Thani, i cili po viziton për herë të parë Iranin që kur u shpall emir i Katarit në vitin 2013, është pritur në Pallatin Sadabad në Teheran nga ana e presidentit iranian.

Sipas një deklarate të Oborrit Mbretëror të Katarit, temë e bisedimeve do të jenë marrëdhëniet bilaterale dhe zhvillimet rajonale.

Udhëheqësi i Katarit do të takohet gjithashtu me liderin suprem Ali Khamenei për të diskutuar zhvillimet rajonale, njoftoi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars.

Tensionet janë rritur në rajon pasi SHBA vrau gjeneralin e lartë iranian Qasem Soleimani në një sulm ajror në aeroportin e Bagdadit në fillim të këtij muaji. Irani u hakmor me gjuajtjen dhjetëra raketave balistike në drejtim të bazave irakiane ku gjenden trupat amerikane.

Javën e kaluar, ministri i Jashtëm i Katarit Mohamed bin Abdulrahman Al Thani vizitoi Teheranin për bisedime që kishin për qëllim zbutjen e tensioneve në rajon./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne