EMRAT/ Nga vrasja tek organizata kriminale, OFL i drejtohet Mond Begës dhe dy “të fortëve” të Beratit për pasurinë

Operacioni “Forca e Ligjit” iu drejtohet me një kërkesë për vetëdeklarimin e pasurisë tre personave të tjerë të akuzuar për vepra të rënda penale.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se OFL iu është drejtuar shtetasve Eduart Nazari, Gentian Çako dhe Mond Bega.

Njoftimi i OFL:

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon operacioni Forca e Ligjit, në bashkëpunim me strukturat vendore të Policisë, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë.

Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë shtetasve:

E. N., banues në Berat, arrestuar në vitin 2013, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.

G. Ç., banues në Berat, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me 20 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim”.

M. B., banues në Tiranë, dënuar në Itali me 11 vjet burg, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikim droge”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.

Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse, për të evidentuar dhe dërguar në SPAK, të gjithë personat që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë./Balkanweb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne