Bota

Entuziazëm pas anulimit të ndeshjes së Argjentinës në Jerusalem: karton i kuq për Izraelin

Anulimi i ndeshjes miqësore mes Izraelit dhe Argjentinës, e planifikuar për t’u luajtur më 9 qershor në Jerusalem, po shoqërohet me deklarata e me falënderime për ekipin amerikanolatin, pjesë e të cilit është dhe Lionel Messi.

Anulimi ka ardhur pas një presioni të vazhdueshëm gjatë ditëve të fundit si nga autoritetet e futbollit palestinez, ashtu dhe nga organizuesit e një fushate ndërkombëtare.

Federata Palestineze e Futbollit e ka mirëpritur vendimin për anulimin e ndeshjes, duke falënderuar Messi-n dhe shokët e tij të skuadrës.

“Vlerat, morali dhe sporti kanë siguruar një fitore sot, dhe një karton i kuq i është nxjerrë Izraelit me anulimin e ndeshjes,” tha një një reagim me këtë rast Xhibril Rexhub, presidenti i kësaj federate.

Ekipin argjentinas e falënderoi dhe PACBI, Fushata Palestineze për Bojkotin Akademik dhe Kulturor të Izraelit, përmes Twitter-it.

Mediat argjentinase e shpjeguan anulimin e ndeshjes me presionin palestinez dhe me kërkesën e lojtarëve kryesorë të Argjentinës, përfshirë Messi-n, për të mos shkuar në Izrael.

Trajneri i Argjentinës, Jorge Sampaoli, po ashtu ka qenë që në krye të herës kundër zhvillimit të ndeshjes, bëjnë të ditur po këto media.

Interesant ka qenë dhe reagimi i sulmuesit Gonzalo Higuain, në lidhje me anulimin e ndeshjes, në një intervistë për rrjetin televiziv ESPN, “Më në fund bënë gjënë e duhur!”

Kjo do të ishte ndeshja e fundit e Argjentinës para Botërorit të Rusisë. /tesheshi