Rajoni

Erdoani pret në takim Kryeparlamentarin Xhaferi, në fokus marrëdhëniet dypalëshe

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Edoan (Recep Tayyip Erdoğan) priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, i cili po zhvillon një vizitë në Ankara.

Takimi i zhvilluar me dyer të mbyllura për median zgjati 40 minuta.

Presidenti Erdogan theksoi përkrahjen e Turqisë për integrimin e Maqedonisë në NATO, si edhe qëndrimin parimor në drejtim të përdorimit të emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë. Ai nënvizoi se Turqia është ndër shtetet e para që e njohu Maqedoninë me emrin kushtetues dhe ajo është e para që hapi ambasadën dhe emëroi ambasador në këtë vend. Njëkohësisht, presidenti turk foli për nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik, duke riafirmuar angazhimin që këmbimi vjetor tregtar ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë të rritet në një miliardë dollarë.

Ndërsa Kryeparlamentari Xhaferi shprehu kënaqësinë që Republika e Maqedonisë dhe Republika e Turqisë konfirmojnë miqësinë tradicionale përforcojnë bashkëpunimin e suksesshëm shumëvjeçar.

Në fund të takimit, bashkërisht u potencua rëndësia e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe diplomacisë parlamentare për marrëdhëniet bilaterale dhe multilaterale, në raport me përparimin e dialogut politik dhe rritjes së dinamikës së bashkëpunimit të përgjithshëm ndërmjet vendeve.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi u takua dje edhe me Kryetarin e Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Ismail Kahraman./ trt

OPINIONE

INTERVISTA