Erdogan: Armëpushimi në Idlib hyn në fuqi në orën 00:01 të datës 6 mars

Presidenti Recep Tayyip Erdogan njoftoi të enjten se armëpushimi në Idlib të Sirisë do të hyjë në fuqi duke filluar nga ora 00:01 e datë 6 mars.

Ka përfunduar samiti kritik për Sirinë ndërmjet Presidentit Erdogan dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin.

Pas këtij takimi, dy liderët organizuan një konferencë të përbashkët shtypi.

Kreu i shtetit turk tha se kanë negociuar për rreth 6 orë ndërmjet tyre.

“Ne s’mund të pranojmë që 4 milionë njerëz, të cilët jetojnë në Idlib, të shpallen terroristë dhe të lihen nën bombardime të rënda. Një popullatë lokale prej rreth 1,5 milionë njerëzish është arratisur nga regjimi dhe është grumbulluar në kufijtë tanë. Turqia nuk mund të qëndrojë duarkryq karshi një kërcënimi në tillë”, deklaroi ai.

Erdogani u shpreh se përgjegjësi kryesor për zhvillimet që çuan në prishjen e Memorandumit të Soçit të vitit 2018, i cili themeloi Zonën e Çtensionimit në Idlib, është regjimi që ka në shënjestër stabilitetin rajonal.

“Pas ngjarjeve të trishtushme që u dëshmuan me agresionin e regjimit ndaj ushtarëve tanë, formimi i një statusi në ri në Idlib është i pashmangshëm”, tha presidenti turk.

Së shpejti – vijoi ai – do të hyjë në fuqi armëpushimi, pastaj me shpejtësi do të hedhim hapat që do të përcaktojmë së bashku;

“Turqia do të rezervojë të drejtën për t’u kundërpërgjigjur me të gjithë forcën e saj dhe në të gjithë terrenin kundër çdo sulmi të mundshëm të regjimit gjatë këtij procesi”, paralajmëroi më tej Presidenti Erdogan.

Ai tërhoqi vëmendjen se qëllimi themelor i regjimit sirian është shpopullimi i Idlibit dhe vendosja e Turqisë në gjendje të vështirë duke shkaktuar emigrim.

“Fryma e bashkëpunimit që kemi me Rusinë, i ka dhënë kontribut unik përpjekjeve ndërkombëtare për t’i dhënë fund konfliktit në Siri”, sqaroi lideri turk.

“Marrëdhënien tonë, që përfshin procesin politik dhe lindjen e Eufratit, dëshirojmë ta vazhdojmë duke e thelluar më tej”, shtoi Presidenti Erdogan.

Kryetari i Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin, tha nga ana e tij se Ankaraja dhe Moska bënë kompromis mbi situatën në Idlib.

“Ne ia kemi dalë gjithmonë të biem dakord duke u bazuar në memorandume të arritura në situata kritike. Kemi arritur të prodhojmë zgjidhje. Kështu ndodhi edhe sot”, u shpreh ai dhe bëri me dije se me Erdoganin kanë përgatitur një dokument të përbashkët për Idlibin, i cili do t’u japë fund vuajtjeve të civilëve, do të mundësojë armëpushimin dhe do të sigurojë progres në lidhje me ndihmat humanitare.

“Turqia dhe Rusia konfirmuan interesin për vazhdimin e bashkëpunimit në formatin e Astanës mbi Sirinë”, saktësoi presidenti rus dhe falënderoi homologun turk, me të cilin këtë vit u takua për herë të tretë, në lidhje me këtë vizitë të rëndësishme.

Më pas, dokumenti mbi të cilin palët negociuan tërë pasditen e së enjtes, u lexua nga ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu dhe homologu i tij rus, Sergey Lavrov.

Dokumenti parashikon ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve ushtarake me hyrjen në fuqi të armëpushimit në Idlib, formimin e një korridori sigurie me thellësi 6 km në veri dhe në jug të autostradës M-4, si dhe fillimin e patrullimeve të përbashkëta turko-ruse më datë 15 mars./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne