Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka sugjeruar ndërsa u adresohej mbështetësve të tij në një tubim në Ankara të dielën, se vendi i tij nuk do të hyjë kurrë në BE, pasi ai nuk ishte i krishterë.
Turqia është përpjekur për të hyrë në BE që prej paraqitjes së aplikimit të saj për anëtarësim në vitin 1987, por negociatat kanë ngecur në mënyrë të përsëritur për shkak të shqetësimeve të të drejtave të njeriut, mosmarrëveshjeve mbi Qipron dhe çështjeve të tjera.
Në tubim, Erdogani deklaroi se takimi i përfaqësuesve të BE-së me Papën në mars ishte provë se bashkimi ishte një organizatë krejtësisht e krishterë.
“Të gjithë liderët e vendeve të BE-së shkuan në Vatikan dhe e dëgjuan papën me nënshtrim. A e kuptoni tani pse ata nuk janë duke e pranuar Turqinë në BE që prej 54 vitesh?”, ka thënë Erdogani të dielën, duke iu referuar Marrëveshjes së Ankarasë midis Turqisë dhe Evropës të vitit 1963.
“Situata është mjaft e dukshme dhe e qartë, kjo është një aleancë Kryqtare. 16 prilli do të jetë dita për ta vlerësuar këtë,” tha Erdogani, cituar nga Hurriyet.
Takimi për të cilin flet Erdogani u mbajt më 24 mars, kur 27 krerë shteti të BE-së u takua me Papa Françeskun në Vatikan, pak para një samiti që shënoi 60 vjet që kur gjashtë shtetet – Belgjika, Franca, Italia, Luksemburgu, Gjermania Perëndimore dhe Hollanda – nënshkruan Traktatin e Romës (1957), duke ngritur Komunitetin Ekonomik Evropian (EEC), i cili më vonë i dha jetë Bashkimit Evropian në vitin 1991.
“Doli e drejtë ajo që unë kam qenë duke thënë [në lidhje me BE-në],” shtoi Erdogani. “Ata na kanë gënjyer për 14 vjet rresht. Dhe ata vazhdojnë të gënjejnë.” / © Gazeta Impakt