Bota

Erdoğan bisedë telefonike me Putin

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka kryer një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Valdimir Putin, ku i ka shprehur ngushëllimet në lidhje me shpërthimin në metronë e Shën Petersburgut, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve të marra nga burimet e Presidencës së Turqisë, mësohet se Erdoğan ka kryer një bisedë telefonike me homologun rus, Putin.

Erdoğan, duke shprehur keqardhje të thellë për shkak të sulmit terrorist të ndodhur në metronë e Shën Petersburgut, në emër të popullit të tij i ka shprehur “presidentit Putin ngushëllimet për popullin rus, për familjarët që kanë humbur të afërmit si dhe i ka uruar shërim të shpejtë personave të plagosur.”

Gjatë bisedës Erdoğan ka folur edhe për përdorimin e armëve kimike në një sulm kundër civilëve në Idlib të Sirisë.

Duke theksuar se janë të papranueshme këto lloj sulmesh çnjerëzore, Erdoğan ka tërhequr vëmendjen se këto përmbajnë rrezikun për eliminuar të gjitha përpjekjet e kryera në kuadër të procesit në Astana.

Dy liderët kanë vënë në dukje rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, si dhe nevojën për përpjekjet e përbashkëta për vazhdimësinë e armëpushimit të brishtë në Siri.

OPINIONE

INTERVISTA