Erdogan: Bota islame dhe gjithë njerëzimi ka dështuar në sprovën e Jerusalemit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi pasditen e së premtes se në provimin e Jerusalemit ka mbetur në klasë jo vetëm bota islame, por i gjithë njerëzimi.

Kreu i shtetit turk mbajti një fjalim në mitingun me temë “Mallkim për Tiraninë, Mbështetje për Jerusalemin”, organizuar nga Fondacioni i Organizatave Vullnetare të Turqisë në Yenikapi të Stambollit, ku të pranishëm ishin mbi 500.000 njerëz, në shenjë mbështetjeje për popullin e Palestinës.

Në krah të Presidentit Erdogan, të pranishëm në këtë miting kolosal ishin gjithashtu Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Ismail Kahraman, Kryeministri Binali Yildirim, lideri i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Devlet Bahceli, kryetari i Partisë së Bashkimit të Madh (BBP), Mustafa Destici, Kryeministri palestinez, Rami Hamdallah, Emiri i Katarit, Sheiku Tamim bin Hamad al-Thani, Presidenti iranian, Hassan Rouhani, Presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev dhe Mbreti Abdullah II i Jordanisë.

Erdogani e nisi fjalën e tij duke shprehur mirënjohjen dhe falënderimet e tij për popullin e shtypur palestinez, që ka ndërmarrë detyrën për të mbrojtur dinjitetin e njerëzimit dhe myslimanëve.

“Jerusalemi nuk është vetëm një qytet. Jerusalemi është një simbol, një sprovë dhe kibla jonë e parë. Nëse nuk arrijmë të mbrojmë kiblën tonë të parë, ne s’mund të shohim me siguri të ardhmen e kiblës sonë të fundit. Le të flasim haptazi, bota islame ka ngelur në klasë në provimin e Jerusalemit. Por jo vetëm bota islame, sprovën e Jerusalemit nuk e ka kaluar i gjithë njerëzimi”, tha ai.

Pasi rikujtoi se Kombet e Bashkuara kanë heshtur ndaj pushtimit të Jerusalemit në vitin 1967, Erdogan vuri në pah se “ata janë indirekt të implikuar në këtë zullum” duke qëndruar vetëm si spektatorë në të gjitha “aktivitetet e padrejta, të pandërgjegjshme, ilegale dhe amorale” që Izraeli ka kryer.

“A e kuptoni tani përse unë them se ‘bota është më e madhe se 5’? Përndryshe asgjë veçse tiranisë s’mund të shikoni në një botë të robëruar nga një fjalë goje e Amerikës”, potencoi ai duke shtuar se Jerusalemi për turqit është njëlloj si Çanakalaja.

“Izraeli ka bërë si ka dashur që prej vitit 1947 dhe sot po ndjek të njëjtën rrugë po ashtu me të njëjtën pamaturi. Ne nuk mund t’i injorojmë këto të vërteta. Me vendimin e fundit që morën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duart e pista u zgjatën edhe njëherë ndaj intimitetit të Jerusalemit. Xhamia al-Aksa po ndyhet çdo herë e më shpesh me çizmet e sionistëve radikalë. Xhamia el-Halil është ende nën pushtim dhe ne myslimanët nuk bëjmë, nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse dënojmë aktet. Kombet e Bashkuara, të cilat kanë dështuar të ndërmarrin hapa efektive kundër SHBA-së, kanë marrë një tjetër goditje për legjitimitetin edhe kështu të dobësuar”, vijoi presidenti turk.

“Nëse e gjithë bota, të gjithë myslimanët bëhen një dhe qëndrojnë heroikisht kundër mizorive në Gazë, më besoni se mendjelehtësia izraelite nuk do të jetë në gjendje të zgjasë”, theksoi Erdogan duke shtuar se forca është e vetmja gjuhë që mizori i pamoralshëm kupton.

Në fund, Presidenti Erdogan tërhoqi vëmendjen se Turqia e ka demonstruar përherë qëndrimin e saj në lidhje me Jerusalemin dhe kauzën palestineze si duke vënë në lëvizje kanalet diplomatike ashtu edhe duke ndërmarrë hapa konkrete./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne