Erdogan: Dëshirojmë marrëdhënie të mira me Evropën

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka deklaruar se Ankaraja është në favor të marrëdhënieve të ngrohta me Bashkimin Evropian, veçanërisht me Gjermaninë.

“Ne duam të kemi marrëdhënie të mira me BE dhe me vendet anëtare të BE”, u tha Erdogan gazetarëve që e shoqëruan atë në një vizitë në Afrikë. Presidenti turk vuri në dukje se nuk kishte “asnjë arsye” pse ai nuk duhej të bënte vizita në Gjermani, pavarësisht mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes dy vendeve. Turqia dhe Gjermania janë në kundërshtim mbi një mori çështjesh të shkaktuara nga grushti i shtetit i korrikut 2016 kundër qeverisë së Ankarasë. Një raprezalje e vazhdueshme pas grushtit të shtetit dhe arrestimi i shtetasve gjermanë kanë çuar në një krizë diplomatike mes Ankarasë dhe Berlinit. Turqia akuzon BE-në për strehimin e organizatave “terroriste” që veprojnë kundër Ankarasë. Mbështetja e Gjermanisë për kundërshtarët e qeverisë turke dhe kundërshtimi i saj ndaj një referendumi të diskutueshëm në Turqi në prill, i cili i dha Erdoganit kompetenca të reja e të mëdha, janë pika të tjera të ngulitura në raportet mes Turqisë dhe Gjermanisë. Para referendumit, autoritetet lokale anulluan disa fushata pro-Erdogan në Gjermani dhe Holandë të cilat kanë një diasporë të madhe turke, duke shkaktuar zemërim midis zyrtarëve të Ankarasë. Për të shtuar edhe më tej tensionet, Gjermania u zotua të kufizojë biznesin me Turqinë dhe të ndërmarrë veprime për t’i dhënë fund ose për të  pezulluar bisedimet e Ankarasë për pranimin në BE. Erdogan, në përgjigje, e krahasoi qeverinë e tanishme gjermane me udhëheqjen e epokës naziste. Në fjalimet e fundit pajtuese të publikuara në gazetat turke, duke përfshirë të përditshmen Hurriyet të enjten, Erdogan tha se shpresonte për një marrëdhënie më të mirë me vendet e BE dhe Gjermaninë. “Gjithmonë e them këtë, duhet të zvogëlojmë numrin e armiqve dhe të rrisim numrin e miqve”, tha ai. Erdogan vlerësoi qeverinë e tanishme gjermane për qëndrimin kundër Presidentit të SHBA, Donald Trump, dhe vendimit të tij të diskutueshëm më parë këtë muaj për të njohur Jerusalemin si “kryeqyteti” i Izraelit. Kancelarja gjermane Angela Merkel, si dhe shumica e liderëve kryesorë të BE përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron dhe shefen e politikës së jashtme të BE Federica Mogherini, thanë se nuk e mbështesin vendimin e Trump. Erdogan tha se mund të ndërmarrë një udhëtim në Francë për të fituar mbështetje për palestinezët. “Ata (Macron dhe zyrtarët e BE-së) nuk na lanë vetëm për këtë çështje,” tha ai. Erdogan tha se mund të shkonte edhe në Vatikan për të takuar Papa Françeskun, i cili mbështet fuqimisht palestinezët.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne