Erdoğan dhe Putin do të bisedojnë për projektet Akkuyu dhe Rrjedha Turke

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin do të diskutojnë rreth centralit të parë bërthamor të Turqisë, Akkuyu dhe projektin e gazit natyror Rrjedha Turke në Samitin e G20 në Hamburg i cili do të mbahet më 7 dhe 8 korriku, ka thënë këshilltari i politikës së jashtme të Kremlinit Yuri Ushakov të hënën.

Erdoğan dhe Putin do të diskutojnë rreth zhvillimeve të fundit në të dy projektet, tha Ushakov, duke shtuar se, “të dy projektet kohët e fundit kanë bërë një përparim të dukshëm”.

Më 19 qershor, kompania shtetërore ruse e energjisë bërthamore, Rosatom, nënshkroi një marrëveshje me Cengiz-Kolin-Kalyon, konsorciumi turk i konglomerateve kontraktuese, për shitjen e 49 për qind të aksioneve projektit të centralit bërthamor të Turqisë, Akkuyu.

Centrali do të ketë kapacitet prej 4.800 megavat në katër njësi, e cila do të jetë aktive për 8.000 orë në vit. Në fazën e parë, dy njësi me kapacitet prej 2400 megavat është planifikuar të përfundojnë deri në vitin 2023.

Sipas vlerësimeve centrali pritet të përmbushë rreth 6-7 për qind të kërkesës së Turqisë për energji elektrike.

Më 23 qershor, Erdoğan foli në telefon me Putinin, i cili po inspektonte anijen “Pioneering Spirit” – anijen më të madhe të ndërtimit në botë e ndërtuar ndonjëherë, e cila do të shërbejë për ndërtimin e sektorit të gazsjellësit Rrjedha Turke në det të hapur.

Anija në kohën e vizitës së Putinit ishte vendosur në qytetin Anapa të Rusisë, në bregun verior të Detit të Zi, ku do të fillojë tubacioni i parë për projektin Rrjedha Turke./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne