Erdogan diskuton me mbretin saudit mbi konfliktin diplomatik të Katarit

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe mbreti saudit Salman Abdulaziz Al Saud zhvilluan një bisedë telefonike të enjten dhe diskutuan mbi krizën diplomatike në vazhdim të Katarit dhe emërimin e princit të ri saudit të kurorës, njoftoi media.

Sipas gazetës Daily Sabah që citonte burimet presidenciale turke, palët ranë dakord që të kërkojnë mënyra për të zgjidhur situatën e tensionuar rreth shtetit të Gjirit Persik.

Presidenti Erdogan dhe Mbreti Salman ranë dakord gjithashtu të mbanin një takim në fund të samitit të ardhshëm të G20, i cili do të mbahet në Hamburg, Gjermani, më 7-8 korrik.

Të mërkurën mbreti Salman zëvendësoi princin e kurorës Muhammed bin Nayef, nipin e mbretit, me djalin e tij 31-vjeçar, Mohammad bin Salman. Mediat lokale raportuan gjithashtu se Muhammed bin Nayef ka humbur postin e ministrit të brendshëm. Princi i ri i kurorës do të vazhdojë të shërbejë si ministër i mbrojtjes i vendit.

Më 5 qershor, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Egjipti thyen marrëdhëniet diplomatike me Dohën dhe ndaluan të gjitha komunikimet me Katarin, duke e akuzuar atë për mbështetjen e terrorizmit dhe ndërhyrjen në punët e tyre të brendshme. Më vonë, Maldivet, Mauritiusi dhe Mauritania njoftuan gjithashtu ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike. Jordania dhe Xhibuti reduktuan nivelin e misioneve të tyre diplomatike në Katar. Senegali, Nigeria dhe Çadi njoftuan tërheqjen e ambasadorëve.

Udhëheqja turke, duke përfshirë Erdoganin dhe Ministrin e Jashtëm Mevlut Çavusoglu, në mënyrë të përsëritur kanë kërkuar që Rijadi të përpiqet të zgjidhë paqësisht krizën e Katarit dhe të tentojë të ndërmjetësojë krizën me mjete diplomatike. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne