Erdogan: Do të jem presidenti i të gjithëve

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan), theksoi se do të jetë i denjë për popullin e Turqisë pas marrjes së detyrës zyrtare si presidenti i parë i vendit nën sistemin e ri të qeverisjes.

Pas betimit në Parlamentin e Turqisë, Erdoani mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit organizuar në Kompleksin Presidencial në Ankara, në të cilën ishin të pranishëm edhe presidentë dhe kryeministra të shumë vendeve, përfshirë edhe nga rajoni.

“Populli ynë asnjëherë nuk na la vetëm, nuk na la në rrugë. Më 24 qershor na zgjodhi edhe një herë për t’i shërbyer atij”, tha Erdoan.

“Do të përpiqem të jem i denjë për popullin tonë me vetëdijen se jam presidenti i 81 milionëve, jo vetëm i atyre që na votuan”, shtoi ai.

Siç tha presidenti turk, sistemi i ri qeverisjes presidenciale nuk është detyrim, por preferencë e qëlluar drejt së cilës i ka orientuar historia.

“Me sistemin presidencial të qeverisjes jemi duke kaluar në një model të ri të qeverisjes përtej eksperimenteve që kemi përjetuar gjatë aspiratës sonë rreth 150-vjeçare për demokraci dhe republikës sonë 95-vjeçare”, deklaroi Erdoan.

Ai paralajmëroi zhvillim dhe avancim të mëtutjeshëm të sistemit të ri të qeverisjes dhe fuqizim të shtetit social në periudhën e re.

“Do ta forcojmë Turqinë në të gjitha fushat, përfshirë industrinë e mbrojtjes dhe sigurinë kufitare”, tha më tej Erdoan.

Po ashtu, presidenti turk njoftoi se kabineti i parë qeverisës i sistemit të ri presidencial do të mblidhet të premten.

Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit ishin edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Pas ceremonisë së inaugurimit, Erdoani pritet të mbajë konferencë për media, ku do të shpalosë kabinetin e ri presidencial.

Më 24 qershor, Erdoan, njëherësh kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), fitoi shumicën absolute në zgjedhjet presidenciale me 52,59 për qind të votave.

Më 16 prill të vitit 2017, Turqia mbajti një referendum që kërkoi nga votuesit të vendosin për ndryshime kushtetuese në 18 nene për të kaluar nga sistemi parlamentar në sistem presidencial.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne