Erdogan: Do të vendosim sigurinë nga Menbixhi deri në kufirin me Irakun

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se do të bëjnë të sigurt rajonin nga Menbixhi i Sirisë deri në Irak.

Erdoan mbajti një fjalim në Samitin e 7-të të Këshillit të Bashkëpunimit të Vendeve Turkofone (Këshilli Turk), që zhvillohet në Baku, kryeqytetin e Azerbajxhanit.

Në fjalim ai u shpreh edhe në lidhje me operacionin “Burimi i Paqes”, që ka filluar në 9 tetor kundër organizatës separatiste terroriste YPG/PKK në lindje të lumit Eufrat në Siri.

“Në një kohë të shkurtër do të bëjmë të sigurt rajonin nga Menbixhi deri në kufirin tonë me Irakun. Do të sigurojmë që në etapën e parë 1 milionë sirianë, më pas 2 milionë sirianë  të preferojnë të kthehen në shtëpitë e tyre”, u shpreh kreu i qeverisë turke.

Ai u shpreh edhe për problemin e Karabakut Malor, që është pushtuar nga Armenia.

“Do të bëjmë çfarë është e mundur që çështja e Karabakut Malor të zgjidhet sa më shpejt me rrugë paqësore dhe duke pasur në thelb tërësinë territoriale të Azerbajxhanit”, tha Erdoan.

Ai solli në rend të ditës edhe pengesat përpara tregtisë ndërmjet vendeve të Këshillit Turk dhe shtoi: “Kuotat (doganat) janë pengesa më e madhe para tregtisë sonë. Si Këshilli Turk ne duhet të heqim pengesat mes nesh”./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne